“Bëhuni palaço” - Jose Mourinho i këshillon lojtarët e Romës të simulojnë për të fituar penallti
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka thënë se lojtarët e tij duhet të simulojnë për të fituar penallti, pasi skuadrës së tij iu mohua një penallti në disfatën 1:0 kundër Atalantës të dielën në Serie A.
Mourinho u përjashtua nga fusha e lojës pas fjalosjes me gjyqtarin Daniele Chiffi, për shkak se ai i hodhi poshtë kërkesat e Romës për një penallti kur Nicolo Zaniolo u rrëzua në zonë gjatë një dueli me Caleb Okoli.

Roma nuk qe në gjendje të reagojë pas golit të Giorgio Scalvinit në minutën e 35-të, pavarësisht se krijoi shumë raste sa për ta barazuar rezultatin të paktën.
Pas ndeshjes, Mourinho sugjeroi se Roma do të kishte pasur më shumë fat sikur Zaniolo të mos ishte përpjekur të qëndronte në këmbë të veta.
“Pati penallti të pastër. E pyeta gjyqtarin pse pas ndeshjes, dhe i kërkova të ishte i qartë me mua se nuk e dha sepse Zaniolo nuk u rrëzua”, tha Mourinho pas ndeshjes.
“Prandaj, më duhet ta ndryshoj këshillën për lojtarët e mi. Më duhet t’iu them të mos tentojnë të qëndrojnë në këmbët e tyre, të mos luajnë me topin, por të bëhen palaço si shumë të tjerë në këtë ligë që simulojnë sikur të ishin në pishinë, sepse patjetër kjo është mënyra se si të fitosh penallti”, shtoi ai.
Buongiorno.#Zaniolo #Demiral pic.twitter.com/Kqvv4qi7vH
— As Roma Nightmares (@ASR_nightmares) September 19, 2022
Disfata në shtëpinë e vet, nënkupton se Roma ngel e gjashta në tabelën e Serie A, me 13 pikë nga shtatë ndeshjet e para.
Paulo Dybala u detyrua të tërhiqej nga skuadra gjatë ngrohjeve pasi u lëndua, dhe Mourinho tha se skuadrës së tij i mungoi loja vendimtare e argjentinasit.
“Duke e parë mënyrën se si luajtëm, ne është dashur të fitonim lehtësisht”, nënvizoi ai.
“Nëse e parafytyrojmë mbizotërimin në zonën e tyre, shanset e shumta të krijuara, mund të spekulojmë se me Paulon në fushë ka mundur të ishte ndryshe”.