Befason Man Unitedi, e bën prioritet nënshkrimin me Ansu Fatin
Manchester United është duke shikuar mundësinë për të nënshkruar me sulmuesin e Barcelonës, Ansu Fati gjatë afatit kalimtar veror.
20-vjeçari debutoi për katalunasit në vitin 2019 dhe tashmë ka bërë 88 paraqitje duke shënuar 25 gola pa bërë ende 21 vjet, mirëpo vazhdon të jetë i lidhur me largimin nga "Camp Nou".
Spanjolli nuk ka arritur ta gjejë formën më të mirë nën urdhrat e Havi Hernandez duke kontribuar me vetëm gjashtë gola dhe tre asistime në 30 paraqitje.
Kështu, Man United synon të përfitojë nga kjo situatë dhe ta transferojnë gjatë afatit kalimtar veror, raporton mediumi katalunas "Sport".
Agjenti i lojtarit, Jorge Mendes tashmë është në dijeni të interesimit dhe një marrëveshje e tillë nuk është hedhur poshtë.
Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë financiare, Barcelona është e detyruar që në verë të largojë ndonjë yll dhe në rast të shitjes së spanjollit do t'iu ndihmonte mjaft shumë.
Trajneri Xavi Hernandez të shtunën deklaroi se duhet të kenë durim me Fatin pasi është ende shumë i ri duke refuzuar të komentojë shitjen e mundshme.
"Gjërat do të funksionojnë për të, duhet të kemi durim. Ai është aset spektakular për klubin, i besojmë shumë, punon shumë mirë mirëpo duhet të kemi durim".
"Ai është ende 20 vjeçar dhe i duhet kohë, si të gjithë të tjerëve. Nuk kemi kohë të diskutojmë për shitjen", deklaroi ai.
Fati ka munguar në 47 ndeshje nga nëntori i vitit 2020 deri në shtatorin e vitit 2021 shkaku i një lëndim serioz në gju, sidoqoftë ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2027.