BBC: Si u bë heroi i Shqipërisë ish-mbrojtësi i Arsenalit, Sylvinho
Sylvinho as nuk mund ta imagjinonte se do ta gjente veten të ulur pranë një laptopi, duke marrë shënime nga ndeshjet e Wycombe në kategorinë e tretë angleze - kështu fillon një shkrim përshkrues nga BBC për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë.
Pas një darke me presidentin e federatës shqiptare në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt kishte rënë dakord të merrte në dorë kombëtaren kuqezi.
Në fillim të vitit 2023, ai mbërriti në zyrën e tij në Tiranë me ndihmësit, ish-mbrojtësin e Cityt dhe West Hamit, Pablo Zabaleta dhe ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva.
Në total, ata panë 240 klipe ndeshjesh për të arritur në një listë fillestare prej 70 futbollistësh, më pas duke e shkurtuar atë në 39 - dhe më në fund në 23 - për ndeshjen e tyre hapëse me Poloninë në kualifikueset e EURO 2024.
Mes tyre ishte edhe anësori i atëhershëm i Wycombe, Anis Mehmeti.
Ai nuk ishte paraqitur kurrë për ekipin e parë të Shqipërisë deri në atë moment, por u thirr si pjesë e procesit të rindërtimit që Sylvinho filloi që nga dita e parë.
“Zaba [Zabaleta] luajti për një kohë të gjatë në Angli, kështu që ai ende ka kontaktet e tij atje dhe na solli disa informacione për Mehmetin,” tha Sylvinho për BBC Sport.
“Ne filluam ta shikonim atë në League One, por, menjëherë pas kësaj, ai nënshkroi me Bristol City në Championship, duke na bërë të mendojmë, 'OK, potencialin që po shohim këtu, po e shohin edhe të tjerët'. Ne e dinim se kishte shumë shqiptarë si ai që luanin jashtë vendit”.
Ajo punë e palodhur dha rezultat.
Pavarësisht se humbi ndeshjen e parë 1:0 kundër Polonisë, Shqipëria qëndroi e pamposhtur deri në fund të ciklit kualifikues të saj pastaj, duke përfunduar në krye të grupit dhe duke siguruar kualifikimin në EURO me një ndeshje pa zhvilluar.
Një arritje e tillë i dha Sylvinhos statusin e heroit të vendit.
Do të jetë vetëm hera e dytë në historinë e tyre që kuqezinjtë do të jenë në Euro, pasi debutuan në vitin 2016.
“Unë jetoj në një hotel që është rreth 2 kilometra nga ndërtesa e federatës, kështu që ndonjëherë kthehem në shtëpi përmes një parku të bukur dhe takoj tifozët. Zakonisht vijnë tek unë dhe më thonë 'respekt, zotëri'”, thotë trajneri 50-vjeçar.
Nuk do të jetë më e lehtë në Gjermani, pasi shorti i vendosi shqiptarët përkrah kampionëve në fuqi, Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.
"Ne nuk do të shkojmë atje për t'u argëtuar gjithsesi," tha Sylvinho. “Puna jonë nuk ka përfunduar dhe, nëse kemi ndonjë shans për t'u avancuar në fazën eliminimit direkt, do të luftojmë për të në të njëjtën mënyrë që bëmë në kualifikuese."
Gjetja e vitit - JASIR ASANI
Pasi ka punuar më parë si asistent i kombëtares braziliane, midis korrikut 2016 dhe prillit 2019, Sylvinho nuk është i huaj për futbollin ndërkombëtar.
Megjithatë, kjo ka qenë një përvojë krejtësisht e ndryshme.
Një nga vendimet e tij të para në krye të Shqipërisë ishte heqja e formacionit 3-5-2 të përdorur nga paraardhësit e tij dhe kalimi në 4-3-3.
Kishte vetëm një çështje me të cilën ai nuk ishte mësuar në vendin e tij: ai kishte nevojë për një krah të djathtë me këmbën e majtë për ta bërë atë krah të funksiononte - por thjesht nuk e kishte.
Kështu ai dhe stafi i tij u zhytën në bazën e të dhënave të federatës për të kërkuar një lojtar me këto karakteristika, duke dalë me dy emra - njëri prej tyre është 29-vjeçari Jasir Asani, i cili luan në Korenë e Jugut.

“Ne po shikonim video nga koha e tij në futbollin hungarez dhe unë mendoja, 'kush është ky?' Ai kishte gjithçka që dëshironim: ai ishte i mrekullueshëm në situatat një-në-një, mund të gjuante mirë dhe ishte i shpejtë”, ka thënë Sylvinho.
“Pra, për disa të shtuna të mira, na u desh të vinim në zyrë në orën 9 të mëngjesit për të parë ndeshjet e tij për shkak të diferencës kohore.”
Në fund, gjithçka ia vlejti.
Asani u tregua të ishte zgjedhje e duhur nga ish-mbrojtësi i majtë. Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut bëri një ndikim të madh dhe i përfundoi kualifikueset me tre gola dhe dy asistime në emër të tij.
Goditjet nga distanca
Sylvinho beson fort se asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse ai nuk do të kishte vendosur të linte familjen e tij në Porto dhe të transferohej në një dhomë hoteli në Tiranë.
“Ata më kanë thënë se e kuptuan se kjo do të funksiononte në momentin që unë njoftova se do të doja të jetoja këtu. Më kanë lejuar të kuptoj plotësisht identitetin vendas dhe të jem 100% i përqendruar te puna”, tha trajneri, takimet e të cilit kryesisht zhvillohen në italisht.
Stili i tij me lojë agresive sulmuese ka impresionuar edhe tifozët dhe ekspertët më skeptikë, të cilët fillimisht nuk ishin të bindur nga qëndrimet e tij të mëparshme në krye të Lyon dhe Corinthians.

Shqipëria, në veçanti, ka qenë në vemendje për numrin e golave që ka shënuar nga distanca në rrugën drejt Gjermanisë.
“Ata me të vërtetë dinë ta godasin topin nga distanca, e kanë atë në vete dhe e duan atë, kështu që unë i inkurajoj ta bëjnë këtë”, tha Sylvinho.
"Nëse ata mendojnë se kjo është gjëja më e mirë për të bërë, ju lutemi gjuani në portë!"
Shqipëria përfundimisht është në EURO 2024, me Sylvinhon që bëri punë fanastike në ciklin kualifikues.
Aventura e tyre në Gjermani fillon më 15 qershor, ku përballen fillimisht me Italinë, pastaj me Kroacinë dhe Spanjën, për të kërkuar një vend në fazën e eliminimit direkt.
Por para se të fillojë Kampionati Evropian, Shqipëria ka edhe një miqësore me Azerbajxhanin më 7 qershor, teksa fitoi dje një miqësore 3:0 ndaj Lihtenshtajnit.