Bayern Munich takohet me Manchester Unitedin, Real Sociedadi e pret Interin, Arsenali rikthehet në Ligën e Kampionëve
Sot do të zhvillohen edhe tetë ndeshje të tjera të javës së parë të grupeve të Ligës së Kampionëve. Ndeshja më interesante do të jetë ajo mes Bayern Munich dhe Manchester Unitedit, kurse nënkampioni nga sezoni i kaluar Inter udhëton te Real Sociedad.
Arsenali, një nga skuadrat më të mira angleze, rikthehet sot në garën më të fortë të futbollit të klubeve, pas një mungese prej gjashtë sezoneve dhe do të ketë punë me PSV Eindhoven.
Grupi A
Në kuadër të këtij grupi, dy ndeshjet që zhvillohen janë Galatasaray – Copenhagen me fillim nga ora 18:45 dhe kryendeshja e javës Bayern Munich – Manchester United.
Bayern Munich është në formë shumë të mirë në prag të kësaj ndeshje, por e njëjta nuk mund të thuhet për djajtë e kuq që kanë pasur një fillim të tmerrshëm të sezonit në Premierligë.

Grupi B
Kampioni i Ligës së Evropës, Sevilla, do ta presë skuadrën franceze Lens, me këta të fundit që shkëlqyen vitin e kaluar në Ligue 1, por në këtë sezon kanë grumbulluar vetëm një pikë në pesë ndeshje, duke qenë në vendin e fundit. Në anën tjetër edhe skuadra spanjolle nuk është se e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme me vetëm një fitore në katër ndeshje të zhvilluara në La Liga.

Ndeshja tjetër e grupit është mes Arsenalit dhe PSV Eindhoven, me topçinjtë që kanë filluar mirë sezonin, ashtu si edhe vitin e kaluar dhe janë favoritë në këtë ndeshje për të arkëtuar pikët e plota.

Grupi C
Kampioni i Italisë, Napoli, udhëton te skuadra portugeze Braga, ndërsa ndeshja tjetër e grupit është mes Real Madridit dhe Union Berlinit. Kjo e fundit zhvillohet me fillim nga ora 18:45.
Grupi D
Benfica e pret Salzburgun e Austrisë, me dy skuadrat në formë të lartë momentalisht nga ligat përkatëse.
Ndërsa ndeshja kryesore e këtij grupi është ajo mes Real Sociedad e Interit, me zikaltrit që kanë pasur një fillim ëndrrash në sezonin e ri të Serie A-së, duke qenë skuadra e vetme në elitë me pikë të plota dhe me vetëm një gol të pësuar në katër ndeshje. Natyrisht nënkampioni i Evropës dhe Serie A-së kërkon pikët e plota në këtë takim, që ta fillojë mbarë edhe garën më të fortë të futbollit evropian.
Kujtojmë se, përveç Galatasaray – Copenhagen dhe Real Madrid – Union Berlin që zhvillohen në 18:45, të gjashtë ndeshjet tjera luhen në orarin tradicional 21:00.