Bayern fiton bindshëm ndaj Leverkusen, Mane rigjen golin - NACIONALE

Bayern fiton bindshëm ndaj Leverkusen, Mane rigjen golin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bayern i është rikthyer fitores në Bundesliga, duke mposhtur Leverkusenin me rezultat bindës 4:0. Në këtë ndeshje shënoi gol edhe i shumëkritikuari, Sadio Mane.

Klubi bavarezi për javë të tëra ishte në shënjestër të kritikave të tifozëve, opinionit futbolldashës gjerman, si dhe vetë tifozëve të tyre – për shkak të një forme aspak të lavdërueshme në kampionat.

Skuadra e Nagelsmann në katër javët e fundit në Bundesliga nuk njihte për fitore. “Kurban” i kritikave përveç trajnerit gjerman, u bë edhe Sadio Mane, i cili ishte në agjërim të golave.

Gjithsesi, nata e sotme ishte ajo e duhura për t’u kundërpërgjigjur zërave kritikë, duke arkëtuar tre pikët e plota ndaj Leverkusenit që është në krizë të thellë dhe nuk po ia del të këndellët.

Raporti i ndeshjes

Gjithçka mund të thuhet që u përcaktua në pjesën e parë. Ishte sulmuesi këmbëshpejtë gjerman, Leroy Sane, ai që në minutën e 3-të i dha epërsinë kampionit në fuqi, pasi goditi në brendi të zonës.

Sulmet e Bayernit nuk u ndalën edhe me kalimin e minutave. Vendësit kërkonin me ngulm që ta shënonin golin e radhës.

Dyfishimi i rezultatit erdhi në minutën e 17-të, falë golit të mesfushorit teknik, Musiala. Edhe pse goditja e tij ishte e lexueshme dhe në këndin e mbrojtur nga portieri Hradecky, ky i fundit nuk ia doli që ta neutralizojë mjaftueshëm, duke bërë që topi të futej në rrjetë për 2:0.

Gjithsesi, për mesfushorin 19-vjeç gjerman ky ishte goli i pestë në kampionat, çka tregon formën e përkryer në të cilën po kalon.

Leverkusen mundohej që të kundërpërgjigjej, por pa qenë pragmatik mjaftueshëm. Në minutën e 38-të ishte Andrich që iu afrua ngushtimin të epërsisë, por topi doli fare pranë shtyllës së lartë.

Vetëm një minutë më vonë erdhi edhe goli i tretë për Bayernit. Në listën e golashënuesve doli në skenë Sadio Mane. Pasi pranoi një pasim nga Musiala, i gjendur në një pozitë ballore pranë zonës së 16-metërshit, goditi mjeshtërisht me këmbën e majtë, për ta lënë të shtangur portierin kundërshtar.

Një gol të cilit iu gëzuan të gjithë, pasi u sulmua gjatë tërë këtyre ditëve nga shtypi gjerman, si pasojë e një efikasiteti të dobët para portës. Megjithatë, ky ishte goli i katërt për Manen në kampionat.

Sadio Mane shënoi edhe një gol tjetër në pjesë të dytë, por ai iu anulua nga dhoma e gjyqtarëve në VAR. Sipas tyre, sulmuesi senegalez në minutën e 56-të kur shënoi golin, bavarezët kishin shkaktuar një faull në sulm.

Mirëpo ato që u vunë re më së shumti në këtë aksion ishin një varg driblimesh nga mesfushori Musiala, i cili depërtoi në mesin e pesë lojtarëve në hapësira fare të ngushta para se të pasonte te Mane.

Për fatin e keq, ky aksion u zhvlerësua nga vendimi i marrë prej VAR-it.

Bayerni uli ruajti përqendrimin në lojë, edhe pse me energji më të rezervuara, marrë parasysh që në mesjavë ka një angazhim tjetër në Ligën e Kampionëve.

Sidoqoftë, bavarezët ia dolën që në minutën e 84-të ta shënojnë edhe golin e katërt, me sulmuesin Muller.

Një gabim foshnjarak i portierit kundërshtar bëri të mundur që Muller të gjendej në kontakt me topin me portën e zbrazur. Kështu, pa ndonjë telashe të madhe ai ia doli ta fusë topin brenda katërkëndëshit.

Me fitore 4:0 u mbyll edhe tërë takimi. Pas kësaj ndeshje, Bayern shkon në kuotën e 15 pikëve, duke kaluar përkohësisht në vendin e dytë, me dy pikë më pak sesa Union Berlini që zë pozitën e parë.

Lajme të ngjashme