Bayern deklason Werderin, ruan vendin e parë në tabelë
Bayern ka shënuar fitore të thellë kundër Werderit, duke e mposhtur atë 4:1. Me këtë fitore bavarezët ruajnë sërish primatin në tabelë. Sidoqoftë, kjo ndeshje dhuroi një imazh të hidhur, pasi u lëndua Sadio Mane.
Fitore e lehtë, e thjeshtë dhe bindëse ishte ajo e Bayernit sonte ndaj Werderit. Një fitore që ia mundëson trajneri Nagelsmann që ta konsolidojë vendin e parë në tabelë para pauzës të Kupës së Botës.
Kur jemi te kjo e fundit, një episod i dhimbshëm ndodhi sonte, meqë Sadio Mane në minutën e 20-të u detyrua që të largohet nga fusha, sepse u ankua për një lëndim muskulor.

Dihet që Botërori fillon pas më pak se dy javëve dhe në orët e ditët në vijim do të mësohet nëse ylli senegalez do t’ia dalë që të rikuperohet në kohë rekord për Kupën e Botës.
Raporti i ndeshjes: Bayern 6:1 Werder
Gjithsesi, sa i përket lojës, mbizotërimi i Bayernit ishte i pashmangshëm dhe i plotë gjatë tërë kohës. Kryesisht në pjesën e parë u mbyll e gjithë çështja e epilogut përfundimtar, meqë golat u shënuan në këtë pjesëlojë.
Llogarinë e golave e hapi mesfushori kreativ Musiala në minutën e 6-të. Ai me një lehtësi dhe gjakftohtësi impresionuese bëri një manovrim elastik me topin duke mashtruar kundërshtarin, para se të godiste afër zonës për 1-0 (VIDEO).
Mysafirët shumë shpejt reaguan. Në minutën e 10-të u shënua goli i barazimit përmes një aksioni vërtet spektakolar, ku topi qarkulloi shpejt në mesin e shumë futbollistëve, deri në finalizimin e Jung për 1-1 (VIDEO).
Bayerni pati mundësinë që në minutën e 18-të ta rikthente epërsinë me Choupo-Moting, por ky i fundit nuk u tregua i saktë
Në minutën e 20-të Sane zëvendësoi Manen. Pas dy minutave Gnabry ishte ai që shënoi golin e dytë për Bayernin. Përmes një goditje të bukur teknike ai mposhti portierin kundërshtar (VIDEO).
Në minutën e 26-të Goretzka pranoi një pasim të mirë nga Kimmich. Bashkëpunimi i dy përfaqësuesve gjermanë u finalizua në formën më të duhur nga mesfushori Goretzka, që depërtoi portierin dhe shënoi për 3:1 (VIDEO).
Golin e radhës për Bayernin e shënoi sërish Gnabry. Sane nuk u tregua aspak egoist, duke pasuar për Gnabryn. Ky i fundit i ndodhur me portën e zbrazur futi topin në rrjetë për 4:1 (VIDEO).
Në pjesën e dytë Bayerni ishte më i drojtur, duke menaxhuar epërsinë e krijuar, pa ndonjë sforcim që ia vlen për t’u përmendur.
Për ta elektrizuar publikun në “Allianz Arena” u përkujdes Gnabry, duke kompletuar het-trikun në minutën e 82-të. Sulmuesi gjerman bëri një defilim spektakolar në brendi të zonës së rreptësisë të Werderit, duke dribluar një nga një para se të shënonte për 5:1 (VIDEO).
Krejt në fund, llogarinë e golave e mbylli sulmuesi 17-vjeç, Tel, në minutën e 86-të. Ai goditi nga një pozitë ballore fare jashtë zonës së 16-metërshit, duke dërguar topin në këndin e djathtë për 6:1 (VIDEO).
Pas kësaj fitore Bayerni shkon në kuotën e 31 pikëve duke përforcuar vendin e parë. Ndërkaq Werderi ngec në vendin e 7-të me 21 pikë.