Bayer Leverkusen kampion i Gjermanisë
Bayer Leverkusen e ka fituar për herë të parë në histori të klubit titullin në Bundesliga, pas triumfit 5:0 ndaj Werder Bremenit.
Skuadra e Xabi Alonsos që s’di për humbje këtë sezon, edhe matematikisht është kampioni i Gjermanisë duke e mbyllur ecurinë mahnitëse të Bayern Munichut, që e kishte fituar titullin për 10 vite radhazi.
Leverkusen bëri një tjetër paraqitje solide duke e dominuar Bremenin në të gjitha aspektet, për të shënuar fitore me rezultat të thellë 5:0.
Fillimisht, Victor Boniface u tregua i saktë nga pika e bardhë për t’i dhënë epërsinë Leverkusenit (25’).
Pastaj, mesfushori shqiptar Granit Xhaka realizoi një eurogol nga distanca për të qetësuar tifozët (60’).
Ndërsa, ylli i skuadrës Florian Wirtz u përkujdes për ta kompletuar het-trikun dhe njëkohësisht vulosur fitoren në këtë ndeshje festive (68', 83', 90').
Kësisoj, Leverkusen tani ka 79 pikë, plot 16 mbi Bayern Munichun ndërsa kanë mbetur vetëm edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar deri në fund.
Për Leverkusenin, ky është vetëm fillimi meqenëse mund të fitojnë edhe dy trofe të tjerë – Kupën e Gjermanisë si dhe Ligën e Evropës.