Bastiset shtëpia e presidentit të PSG-së Nasser Al-Khelaifi në Paris
Shtëpia e presidentit të Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, është bastisur nga autoritetet franceze të mërkurën, si pjesë e një hetimi mbi dyshimet për ngujimin e një lobuesi.
Mediapart dhe L’Equipe raportojnë se policia franceze është duke i hetuar pretendimet e lobuesit Tayeb Benabderrahmane, i cili pretendon se ishte mbajtur peng dhe ishte torturuar në Katar në vitin 2020.
Si pjesë e këtij hetimi, shtëpia e Al-Khelaifit në Paris u bastis të mërkurën.
Shefi i PSG-së, i cili ishte vonuar në konferencën për media për prezantimin e trajnerit të ri të Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, të mërkurën, ishte ndaluar nga policia pasi kishte mbërritur në Bourget.
Policia i kishte shfaqur atij dokumentin që kërkonte lejen për kontrollimin e shtëpisë së tij në mungesë të tij, në përputhje me ligjin francez.
PSG-ja u mundua ta ulë rëndësinë e këtyre ngjarjeve, duke ia lënë fajin vonesës së aeroplanit për vonimin e Al-Khelaifit në konferencë, për shkak të një problemi familjar.
“Ne e dinim se gjykatësi do të ishte aty dhe u deshën vetëm pesë minuta. Kjo nuk ka asgjë të bëjë me vonesën e tij, e cila ndodhi pasi aeroplani i erdhi me vonesë për shkak të një problemi familjar”, tha një përfaqësues i PSG-së për L’Equipe.
Benabderrahmane pretendon se posedon dokumente të ndjeshme për dhënien e të drejtës Katarit për organizimin e Kupës së Botës 2022 dhe për tentimet e beIN Media për t’i transmetuar turnetë e ardhshëm.
Ai shtoi se ishte liruar në Katar pasi kishte nënshkruar një marrëveshje konfidenciale në lidhje me këto dokumente.
Al-Khelaifi i ka mohuar akuzat.
