Bashkëlojtarët e kundërshtojnë Griezmannin: Ne s’i frikësohemi aspak Lionel Messit
Për dallim nga Antoine Griezmann, bashkëlojtarët e tij në ekipin kombëtar të Francës kanë këmbëngulur se nuk i frikësohen Lionel Messit dhe se e kanë një plan se si ta ndalin atë në finalen e Kupës së Botës 2022 të dielën.
Franca, kampione në fuqi, do të përballet me Argjentinën për trofeun e Kupës së Botës këtë të dielën.
Të kaltrit janë plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun që përbën shtatë herë fituesi i Topit të Artë, por kanë vetëbesim se do ta ndalin atë dhe do t’ia shuajnë ëndrrën për ta fituar trofeun e vetëm që i mungon në karrierën e tij tejet të shquar.
Messi është duke e shijuar formën më të mirë në Katar nga pesë Botëroret që ka marrë pjesë gjatë karrierës, pasi është golashënuesi më i mirë (5), asistuesi më i mirë (3) dhe lojtari me më së shumti raste të krijuara.
Griezmann, që dikur luante përkrah Messit në Barcelonë, e quajti 35-vjeçarin si lojtarin më të mirë në botë.
“Messi është më i miri në botë. Duhet të përgatitemi mirë dhe të pushojmë. Do të jetë një ndeshje shumë e koklavitur kundër Argjentinës”, tha Griezmann pas ndeshjes.

Mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchoumeni nuk u pajtua me Griezmann, duke e quajtur bashkatdhetarin e vet Kylian Mbappen si më të mirin në botë.
“Po, ata e kanë Lionel Messin, por edhe 10 lojtarë të tjerë afër tij, të cilët kanë shumë cilësi. Griezmann tha se Messi është më i miri në botë? Për mua është Kylian... Mbappe është më i miri në botë dhe dua që ai ta dëshmojë këtë në finale. Ne jemi të vetëdijshëm për mundësinë që e kemi dhe duhet ta shkruajmë historinë”, tha Tchoumeni.
Mbrojtësi i majtë i Milanit, Theo Hernandez, thotë se nuk i frikësohet Messit.
“Messi nuk na frikëson, Argjentina është ekip i jashtëzakonshëm por ne i kemi disa ditë për t’u përgatitur dhe do të punojmë fort për ta fituar këtë finale”, theksoi Hernandez.
