Barcelona në 10 minutat e fundit shënon tre herë dhe e përmbys rezultatin ndaj Celta Vigos - NACIONALE

Barcelona në 10 minutat e fundit shënon tre herë dhe e përmbys rezultatin ndaj Celta Vigos

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka shpëtuar pa pësuar humbjen e parë në këtë sezon të La Ligës. Kjo u bë e mundur me tre gola të shënuar në 10 minutat e fundit, për ta përmbysur Celta Vigon që deri në minutën e 80-të po fitonte me rezultat 2:0.

Skuadra e Xavi Hernandez, pati një paraqitje për t’u harruar për pjesën më të madhe të takimit, por shpirti i skuadrës u tregua në çastet vendimtare të takimit, me Robert Lewandowskin që gjeti golin dy herë e Cancelon një herë.

45 minutat e para ndonëse u dominuan nga Barcelona me posedim, Celta arriti të rrezikonte më shumë, saqë arritën të shënonin me Jorgen Larsen në minutën e 19-të, për ta çuar rezultatin në 1:0, me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Anastasios Douvikas u kujdes të dyfishonte epërsinë në minutën e 76-të dhe u duk se shpresat e Barcelonës për rezultat u shuan aty.

Në fakt, këtu filloi përmbysja e madhe.

Zhvillohej minuta e 81-të kur Joao Felix bëri një asistim maestral në zonë, me Robert Lewandowskin që shënoi për të ngushtuar rezultatin në 2:1.

Katër minuta më vonë, portugezi tjetër, Joao Cancelo, bëri një asistim tjetër të mirë dhe sërish sulmuesi polak Lewa ishte aty për të shënuar, duke barazuar gjithçka në 2:2.

Për të vulosur përmbysjen e madhe, u kujdes Cancelo, që shënoi golin për 3:2 në minutën e fundit të takimit, pas një asistimi të jashtëzakonshëm të Gavit.

Kështu Barcelona e gjen fitoren e pestë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, duke evituar humbjen e parë të mundshme dhe tani përkohësisht do të jetë kryesuese e La Ligës.

Lajme të ngjashme