Barcelona mposht Real Betisin, finalja e Superkupa së Spanjës na dhuron një tjetër El Clasico - NACIONALE

Barcelona mposht Real Betisin, finalja e Superkupa së Spanjës na dhuron një tjetër El Clasico

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Barcelona me shumë mund ka arritur ta mposhtë Real Betisin në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës me anë të penalltive, për t’u kompletuar çiftin e finales, pasi në gjysmëfinalen tjetër që u zhvillua dje, Real Madridi mposhti Valencian me anë të penalltive.

Që nga sezoni 2019/20 formati i Superkupës së Spanjës ka ndryshuar, ku tani luajnë katër skuadra, fituesit dhe nënkampionët e La Ligës e Kupës së Mbretit.

Betisi, e cila po kalon nëpër një formë të mirë edhe në kampionatin spanjoll, tregoi se forma e mirë nuk është e rastësishme, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit, ani pse ishte duke humbur për një pjesë të madhe të ndeshjes, ndërsa Barcelona nga tri raste të krijuara dy i konkretizoi në gol.

Image

Ishte sulmuesi polak, Robert Lewandowski, i cili po kalon në formë të jashtëzakonshme te skuadra e re, ai që shënoi për golin hapës të takimit, pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë për rezultatin 1:0.

Me rezultatin 1:0, të dy skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Real Betis intensifikoi sulmet, në kërkim të golit të barazimit, dhe këtë e arriti vetëm në minutën e 77-të, kur Nabil Fekir shënoi për 1:1 pas asistimit të Luiz Henriques.

Barcelona shënoi edhe një herë me anë të Lewandowskit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.VIDEO

Rezultati pas 90 minutave ishte 1:1 dhe u nevojitën vazhdimet për të treguar fituesin.

Me të filluar pjesa e parë e vazhdimeve, Barcelona ia arriti të kalonte sërish në epërsi, kësaj radhe me anë të një goli shumë të bukur të shënuar nga i riu, Ansu Fati, për rezultatin 2:1.

Betis u kthye në lojë sërish, kësaj radhe shënoi Loren Moron në minutën e 101-të për rezultatin 2:2.

Dy minuta pa përfunduar vazhdimet, Real Betis mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Guardado mori të dytin të verdhë në ndeshje.

Edhe pas 30 minutave lojë, rezultati ishte përsëri i barabartë, për ta lënë ndeshjen nën mëshirën e fatit, nga goditjet prej pikës së bardhë.

Në ekzekutimin e penalltive, më të saktë ishin katalunasit, që shënuan në të gjitha penalltitë e goditura, për të triumfuar me rezultat 4:2.

Finalja e Superkupës së Spanjës do të na dhurojë një tjetër El Clasico, e cila do të zhvillohet të dielën e 15 janarit në Arabinë Saudite.

Lajme të ngjashme