Barcelona mposht lehtësisht Villarrealin, nuk humb hapin në garën për titull
Pas dy rezultateve dëshpëruese ndaj Interit dhe Real Madridit, Barcelona është rikthyer të fitojë, duke mposhtur pastër Villarrealin me rezultat 3-0. Me këto tre pikë ekipi i Xavit qëndron akoma në garë për titull.
Duhej një përgjigje e menjëhershme pas paraqitjeve që kishin lënë për të dëshiruar ndaj Interit në Ligën e Kampionëve dhe Real Madridit në “klasiken” e madhe të Spanjës. Kjo edhe erdhi nga Barcelona në mbrëmjen e sotme, duke mposhtur lehtësisht Villarrealin, për të qëndruar akoma në ndjekje të titullit.
Çështja e fituesit u përcaktua në pjesën e parë. Pikërisht ishte kjo pjesëloja kur Barcelona vendosi diktatin e lojës dhe thelloi epërsinë, duke bërë kështu që pjesa e dytë të luhej vetëm sa për formalitet.
Barcelona e nisi shumë mirë ndeshjen. Që në minutën e 3-të rrezikoi me anë të sulmuesi këmbëshpejtë, Ansu Fati. Goditja e tij përfundoi jashtë portës, por ky ishte sinjali i parë që ekipi “blaugrana” përçoi në ndeshje.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 31-të me anë të përhershmit Robert Lewandowskit. Ylli polak pasi u shërbye në zonë nga Alba, mjaft mirë bëri një rrokullisje, duke shtyrë pastaj topin në rrjetë për 1:0.
Kjo nuk ishte e gjitha nga sulmuesi 34-vjeçar. Publiku në “Camp Nou” ishte dëshmitar i një tjetër goli nga ana e tij që erdhi në minutën e 35-të, e që ishte thjesht i mrekullueshëm.
Lewandowski krijoi hapësirën e nevojshme brenda 16-metërshit, për ta liruar më pastaj një goditje të fuqishme në këndin e djathtë të portës kundërshtare, aty ku portieri nuk mund të bënte asgjë, vetëm se ta shikonte topin duke hyrë në rrjetë, për rezultatin 2:0.
Ky ishte goli i 11-të në kampionat. Për momentin është ai golashënuesi më i mirë i La Ligas, duke lënë mbrapa Iglesias dhe Joselu me 7 gola.
Barcelona trefishimin e epërsisë e kompletoi brenda shtatë minutave. Golin pasues për katalonasit e shënoi Ansu Fati.
Një depërtim mjaft i mirë në zonë të rreptësisë nga Torres bëri që ai të pasonte në zemrën e zonës kundërshtare për Ansu Fatin. Ky i fundit nga një afërsi e konsiderueshme nuk gaboi dhe shënoi për 3:0.
Në pjesën e dytë Barcelona thjesht e menaxhoi mirë këtë epërsi, duke mos shënuar gol tjetër, por as pësuar.
Pas kësaj fitore ekipi i drejtuar nga Xavi ruan pozitën e dytë në renditjen tabelore me 25 pikë. Primatin vazhdon ta mbajë Real Madridi me 28 pikë, pasi mbrëmë shënoi fitoren e radhës me rezultat 0:3 ndaj Elches.

Ndërsa Villarreal assesi nuk po ia del të kthehet te fitorja. “Nëndetësja e verdhë” renditet në pozitën e 9-të me 15 pikë të tubuara.
Barcelona ndeshjen tjetër e luan ndaj Athletic Bilbaos të dielën me fillim në ora 21:00. Në po të njëjtën ditë do të luajë edhe Villarreal, që do të luajë ndaj Almerias në ora 18:30.
