Barcelona fiton me mjaft mund ndaj skuadrës modeste Intercity, kalon tutje në Kupën e Mbretit - NACIONALE

Barcelona fiton me mjaft mund ndaj skuadrës modeste Intercity, kalon tutje në Kupën e Mbretit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka arritur ta sigurojë një fitore më të vuajtur seç pritej ndaj Intercity në udhëtim, duke ngadhënjyer në fund me rezultat 4:3. Kjo fitore u mundëson katalanasve kalimin në 1/8 e finales të Kupës së Mbretit.

Xavi Hernandez mund t’i gëzohet faktit që skuadra e tij ka arritur të hyjë në mesin e 16 më të mirave në Kupën e Mbretit, ndonëse paraqitja e sontme nuk ishte shumë bindëse.

Barcelona shumë shpejt gjeti golin e epërsisë. Në minutën e 4-t ishte Araujo ai që shënoi bukur me kokë, pas një ekzekutimi të një këndoreje nga Torre.

Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë. Në pjesën e mbetur të ndeshjes ndodhi gjithçka. U shënuan një mal golash.

Fillimisht në minutën e 59-të ishte Soldevila ai që barazoi shifrat e rezultatit në 1:1, duke zënë të papërgatitur mbrojtjen e katalonasve.

Në minutën e 66-të ishte Dembele që riktheu epërsinë e Barcelonës, duke shënuar për 2:1 nga afërsia. Gol ky që u duk se do t’i jepte një qetësi ekipit të tij.

Megjithatë, kështu nuk ndodhi. Tetë minuta më vonë shënoi sërish Soldevila, duke barazuar rezultatin në 2:2.

Barcelona u kundërpërgjigj pas tre minutave. Raphinha mjaft mirë shfrytëzoi një pasim të dhënë nga Alba, duke shënuar 3:2.

Soldevila vulosi faktin që po jetësonte një paraqitje përrallore. Ai në minutën e 86-të kompletoi het-trikun duke shënuar edhe një herë për ta rikthyer skuadrën në baraspeshë.

Kështu skuadrat shkuan në vazhdime. Barcelonën e ndihmoi këmbëshpejti dhe talenti i saj Fati. Ky në minutën e 104-t shënoi golin vendimtar nga një penallti në lëvizje, i ndihmuar paksa edhe nga një devijim.

Ky rezultoi të ishte edhe goli që përcaktoi kalimin e Barcelonës në mesin e 16 skuadrave më të mira të Kupës së Mbretit. Edhe pse Xavi pushoi shumicën dërmuese të lojtarëve, nga kjo ndeshje nuk mbetet shumëçka për t’u mbajtur mend.

Lajme të ngjashme