Barcelona e vendos në shitje Frenkie de Jong
Barcelona do të provojë ta shet mesfushorin Frenkie de Jong në verë shkaku i pagës së lartë, si dhe për arsye që negociatat për rinovim kanë dështuar.
Holandezi ka pësuar lëndime të shpeshta këto vitet e fundit, për më shumë se pesë muaj ka vuajtur nga lëndimet në gju.
De Jong ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2026 mirëpo negociatat për rinovim kanë ngecur, kësisoj katalunasit po shikojnë opsionin për ta shitur në verë, raporton mediumi spanjoll “Sport”.
Barcelona ndërkohë është e pakënaqur edhe me financiat që i paguajnë për 27-vjeçarin. Kur të merret parasysh kësti në blerjen që bënë nga Ajaxi, pagën, rrogat që nuk ia paguan gjatë kohës së COVID-19, atëherë vlera shkon rreth 35 milionë euro për vit.
Lideri aktual i La Liga-s thuhet se edhe i kishte vendosur një ultimatum De Jong që të rinovojë me zbritje page para se të mbyllet afati i janarit në rast që dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou”.
Manchester Unitedi ishte ndër skuadrat më të interesuara për De Jong gjatë kohës kur Ten Hag ishte në krye, kurse situatën e kanë vëzhguar edhe Chelsea e PSG-ja.
Barcelona përndryshe nuk ka nevojë për të gjetur as zëvendësues shkaku që tashmë i besojnë plotësisht lojtarit të dalë nga akademia Marc Casado.