Barcelona e refuzoi Jordan Hendersonin
Barcelona thuhet se e ka refuzuar mesfushorin Jordan Henderson, që e kishte ofruar veten te skuadra katalunase.
Vetëm gjashtë muaj pasi iu bashkua Al Ettifaq nga Liverpooli, në një marrëveshje afro 700 mijë funtesh për javë, 33-vjeçari është afër që ta ndërpres kontratën.
Henderson dhe familja e tij nuk janë rehatuar në Arabinë Saudite, andaj lojtari është i dëshpëruar për t’u kthyer në Premierligë ose në Evropë.
Mediumi katalunas “Sport” raporton se Henderson dhe agjentët e tij kanë kontaktuar Barcelonën duke iu ofruar që ta transferojnë si agjent të lirë në janar.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të trajnerit Xavi Hernandez që kanë nevojë për një mesfushor, kanë vendosur ta refuzojnë shkaku që sipas tyre angleze s’i përshtatet profilit të lojtarit që Barcelona e pëlqen.
Një transferim në “Camp Nou” do t’i përshtatej më së miri Hendersonit, por ka pasur edhe disa pakënaqësi tjera. Barcelona nëse donte ta kompletonte marrëveshjen do ta bënte vetëm nëse arrihet marrëveshje për gjashtë muaj huazim, derisa 33-vjeçari preferon kontratë afatgjatë.
Kësisoj, Barcelona ra poshtë si opsion dhe anglezi pritet ta kompletojë kalimin te Ajaxi brenda javës.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Henderson do të debutojë me Ajaxin të dielën ndaj RKC Waalwijk.