Barcelona e do Kloppin për ta zëvendësuar Xavin
Presidenti i Barcelonës Joan Laporta dëshiron që Jurgen Klopp ta zëvendësojë Xavi Hernandezin si trajner në fundin e sezonit.
Tekniku gjerman njoftoi largimin shokues nga Liverpooli shkaku që “s’ka më energji” në muajin janar.
Gjatë intervistës, Klopp u betua se nuk do të marrë drejtimin e asnjë klubi anglez dhe shtoi se do të pushonte për tërë vitin tjetër.
Por, kjo ishte para se Xavi gjithashtu të njoftonte që do të largohet nga Barcelona sapo sezoni të përfundojë. Kësisoj, presidenti Laporta ka vendosur të bëjë çmos për ta bindur teknikun gjerman që të ndryshojë mendje.
Laporta ka disa muaj kohë për ta bindur Kloppin, që tani është favoriti kryesor në listën e Barcelonës, raporton e përditshmja katalunase “Sport”.
Barcelona e sheh vetën në një pozicion mjaftë të mirë duke marrë parasysh se disa opsione tjera janë të zëna e disa edhe konsiderohen të pamundura.
Klopp ka premtuar se nuk do të drejtojë asnjë klub anglez dhe lidhjet fantastike me Borussia Dortmundin, nënkuptojnë se nuk ka gjasa ta drejtojë Bayern Munichun.
Barcelona këtë vit është duke vuajtur në aspektin sportiv, pasi e humbi Superkupën e Spanjës, u eliminua nga Kupa e Mbretit, është shtatë pikë prapa Realit në La Liga si dhe po tenton të bëjë një mrekulli në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me Napolin.