Barcelona e bën prioritet nënshkrimin me Alexander-Arnold në vitin 2023
Barcelona është duke "shënjestruar" transferimin e mbrojtësit Trent Alexander-Arnold si prioritet për afatin kalimtar veror të vitit 2023.
Siç raporton "Liverpool Echo", anglezi shihet si i duhuri që të rrit kualitetin dhe të shtojë garën për pozitë në formacionin bazë të skuadrës së Xavi Hernandez.
Përpos kësaj raportohet se Barcelona edhe pritet të bëjë një ofertë zyrtare në vlerën e 67 milionë funteve.
Kjo padyshim shihet si një vlerë e ulët, me Alexander-Arnold që konsiderohet si një ndër mbrojtësit më të mirë në botë dhe që "Reds" me gjasë nuk do ta lejojnë të largohet.
23-vjeçari ka kontratë te Liverpool deri në vitin 2025 dhe ka qenë pjesë e gjigantit anglez që nga akademia.
Barcelona momentalisht ka Sergino Dest dhe Sergio Roberto që luajnë në atë pozitë, por janë duke shikuar përforcimet e mundshme me anglezin si kryesori në listë.
Liverpool ka një histori me shitjen e yjeve kryesorë te Barcelona, pasi ka larguar në të kaluarën Luis Suarez, Javier Mascherano dhe Philippe Coutinho kur këta të fundit ishin në "kulmin" e karrierës.
Por, largimi i Alexander-Arnold shihet si tejet i vështirë shkaku i besnikërisë së lojtarit ndaj klubit.
Alexander-Arnold debutoi në fanellën e "Reds" në vitin 2016 dhe ka qenë thjesht i pazëvendësueshëm në atë pozitë.
Ai deri më tani ka zhvilluar 227 paraqitje për Liverpoolin, duke fituar Premierligën, Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe EFL Cup.
Në të kaluarën edhe vetë anglezi kishte shprehu simpati për Barcelonën, duke deklaruar se është skuadra e tij e dytë e preferuar.
"Mund të them se skuadra ime tjetër e preferuar është Barcelona. Mendoj se kanë idetë dhe vlerat e njëjta si Liverpool. Pëlqejnë të nxjerrin lojtarë të rinj nga akademia".
"Jam rritur duke shikuar Messin dhe atë ekip të veçantë të Barcelonës me Iniesta, Xavi, Hendy dhe Eto'o", kishte deklaruar ai më 28 mars.