Barcelona dhe Manchester United sfidojnë Arsenalin për portierin e Espanyolit
Përpjekjet e Arsenalit për të transferuar portierin e Espanyolit, Joan Garcia, janë komplikuar nga interesimi i rivalëve si Manchester United dhe Barcelona.
Garcia ishte objektivi kryesor i Arsenalit për portën verën e kaluar, kur kërkonin një zëvendësues për Aaron Ramsdalen në largim. Megjithatë, pasi dështuan me një ofertë prej 20 milionë eurosh në fund të merkatos, ata vendosën për një zgjidhje të përkohshme duke huazuar Neton nga Bournemouth.
Topçinjtë pritet të rinovojnë interesimin për 23-vjeçarin këtë verë, por një sezon tjetër mbresëlënës ka bërë që lista e klubeve të interesuara për të të zgjerohet.
Sipas MARCA, Barcelona ka kontaktuar përfaqësuesit e Garcias për të shprehur interesin e tyre, duke i kërkuar atij të presë një ofertë nga katalanasit para se të marrë një vendim për të ardhmen.
Megjithatë, SPORT raporton se Barcelona përballet me një betejë të vështirë për të fituar garën për Garcian, pasi Espanyoli nuk dëshiron të negociojë me rivalët e tyre të qytetit për klauzolën e lirimit të portierit. Drejtori sportiv i klubit, Fran Garagarza, ka pranuar se është i hapur për negociata me klube të tjera këtë verë.
Espanyoli do të preferonte ta shiste Garcian në Premierligë, ku përveç Arsenalit, edhe Manchester United ka shfaqur interes, ndërsa ata shqyrtojnë të ardhmen e Andre Onanës.
Rivaliteti më i madh mund të vijë nga Bayer Leverkusen. Sipas Mundo Deportivo, skuadra e Xabi Alonsos ka bërë aq shumë përpjekje sa edhe Arsenali për ta bindur Garcian të bashkohet me ta.
E ardhmja e portierit pritet të zgjidhet në fazat e para të merkatos verore. Klauzola e tij e lirimit aktualisht është 25 milionë euro (20.6 milionë paund), por do të rritet në 30 milionë euro (24.8 milionë paund) gjatë 15 ditëve të fundit të merkatos. Për më tepër, ka raportime se shuma mund të rritet edhe me 5 milionë euro (4.1 milionë paund) nëse Garcia merr një thirrje nga kombëtarja spanjolle.