Ballkani vazhdon "ëndrrën" evropiane, sonte përballet me Klaksvik - NACIONALE

Ballkani vazhdon "ëndrrën" evropiane, sonte përballet me Klaksvik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

FC Ballkani ditën e enjte do të zhvillojë sfidën e parë ndaj skuadrës Kl-Klaksvik, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues për Ligën e Konferencës.

"Xhebrailat" që shihen si favorit duan fitore bindëse me shpresën për një kualifikim në fazën grupore të Ligës së Konferencës, që nuk është arritur nga asnjë skuadër kosovare më parë.

Para ndeshjes, ditën e mërkurë në konferencë për shtyp dolën trajneri Ilir Daja dhe mesfushori sulmuesi Nazmi Gripshi, që u shprehen optimist - por në dijeni për vështirësitë e ndeshjes.

Në raundin e tretë nuk ka ndeshje të lehta, sepse ekipet apo ekipi që e kemi përball është i disiplinuar. Mendoj se duhet të jemi të përqendruar dhe ekuilibruar pasi gjithçka mund të vendoset nga detajet, ashtu siç na ndodhi me Zalgiris”.

“Duhet të jemi cinikë, të shfrytëzojmë rastet dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk mund të them se jemi ne apo kundërshtari favorit. Ekipi që do të ketë përqendrim maksimal do të shkon drejt objektivit. Shpresojmë të kemi fatin dhe të marrim fitore”, deklaroi Daja në konferencë për media.

Ndërkohë, Gripshi nënvizoi se kanë pasur mjaftueshëm kohë të përgatiten dhe do të japin maksimumin në këtë sfidë, me synimin të bëjnë paraqitje dinjitoze.

“Mendoj se jemi gati dhe kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Po ashtu, kemi disa ndeshje që po i luajmë dhe mund të them se të gjithë jemi optimistë për këtë ndeshje”.

“Do ta japim maksimumin dhe besoj që do të bëjmë një paraqitje dinjitoze, pasi vetëm Ballkani është tani përfaqësues i Kosovës në Evropë. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi për ta fituar këtë ndeshje”, u shpreh Gripshi.

Përballja ndërmjet Ballkanit dhe Klaksvikut zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme