Ballkani triumfon ndaj Feronikelit 74, Gjilani pëson humbje nga Dukagjini
Ka përfunduar xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës, me dy përballjet që u zhvilluan sot. Kampioni i Kosovës, Ballkani, shënoi fitore me shumë vështirësi ndaj Feronikelit 74, e në anën tjetër Dukagjini i Ismet Munishit e ka marrë fitoren e parë, duke triumfuar ndaj Gjilanit.
Përballja mes kampionit në fuqi dhe Feronikelit 74 u zhvillua në Suharekë.
Në pjesën e parë të takimit nuk u shënua asnjë gol, ndërsa tre u shënuan në 45 minutat në vazhdim.
Walid Hamidi ia dha epërsinë Ballkanit në minutën e 53-të, kur Arbër Potoku asistoi.
Feronikeli 74 e barazoi rezultatin me anë të Alban Shabanit në minutën e 65-të.
Tetë minuta para fundit, Riberio Giovanni shënoi për 2:1, teksa i njëjti shënoi në minutën e fundit për rezultatin përfundimtar 3:1.
Me këtë fitore, Ballkani, vazhdon kryesimin në Superligë pas tri xhirove, duke grumbulluar shtatë pikë, e Feronikeli 74 vazhdon pa pikë ende.
Në ndeshjen tjetër, Dukagjini i Ismet Munishit që nuk dinte për fitore, e ka mposhtur Gjilanin, që gjithashtu nuk e ka shijuar ende fitoren në sezonin e ri të garave.
Gjilani doli e para në epërsi në minutën e nëntë, kur Albion Pllana shënoi autogol.
Dukagjini u kthye në lojë kur Met Millaku e barazoi rezultatin në minutën e 30-të, pas një gabimi të portierit, Kenan Haxhihamza.
Golin për rezultatin përfundimtar 2:1 e shënoi Altin Mërlaku nga penalltia në minutën e 49-të.
Pasi deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, tani Dukagjini pas dy humbjeve radhazi e gjen fitoren e parë, e në anën tjetër Gjilani pas dy barazimeve e shijon edhe humbjen.