Ballkani transferon edhe sulmuesin senegalez Cisse
Kampioni i Kosovës Ballkani është duke vazhduar të jetë mjaftë aktive në afatin kalimtar të janarit, duke nënshkruar me senegalezin Pape Oumar Cisse.
Sumuesi senegalez shihet si pasuesi i Albin Berishës, që është afër kalimit në kampionatin rumun.
Përmes një komunikate zyrtare, Ballkani njoftoi marrëveshjen e arritur me Cisse, por nuk dha ndonjë detajë tjetër.
“Repartit sulmues të skuadrës i bashkohet edhe senegalezi Pape Oumar Cisse.
Futbollisti 21 vjeç, i gjatë 1,85m, do të jetë armë shtesë e kampionëve tanë drejt objektivave në vazhdimësinë e garave”.
Ballkani është duke punuar intensivisht në afatin e janarit, pasi janë afër shitjes së Berishës si dhe pritet të largohet Qëndrim Zyba, që ka arritur marrëveshje me Legian e Varshavës.
Ndërkohë, “Xhebrailat” kanë rikthyer në formë huazimi edhe sulmuesin Meriton Korenica nga klubi turk Manisa.
Ballkani është lider në Superligën e Kosovës, duke pasur gjashtë pikë më shumë se Llapi dhe Drita që renditen në pozitat dy, respektivisht tre.