Ballkani synon kualifikimin, Drita dhe Dukagjini ‘mrekullinë’
Tre klubet kosovare Ballkani, Drita dhe Dukagjini vazhdojnë rrugëtimin në garat evropiane me shpresën për t’u kualifikuar tutje, në kuadër të Ligës së Konferencës.
Ballkani do ta ketë punën më të lehtë, pasi triumfoi bindshëm ndaj Larnes me rezultat 3:0 në “Fadil Vokrri”, andaj do të tentojë të kualifikohet tutje.
“Xhebrailat” veçse e kanë kryer më shumë se gjysmën e punës prandaj mjaftojnë ta ruajnë rezultatin për të siguruar ‘biletën’ për në rrethin e tretë kualifikues.
Nënkampioni i Kosovës Drita do të mundohet të bëjë befasinë, duke provuar ta eliminojë gjigantin çek Viktoria Plzen.
Pasi arriti rezultat pozitiv në ndeshjen e parë që përfundoi me rezultat 0:0 në Çeki, “Intelektualët” duan të bëjnë befasi në Prishtinë për t’u kualifikuar tutje.
Viktoria Plzen sigurisht mbetet favorit, mirëpo klubi kosovar gjithnjë ka mahnitur me paraqitje të bukura ndaj klubeve të mëdha.
Ndërsa, punën më të vështirë padyshim do ta ketë skuadra e Dukagjinit, që u mposhten nga Rijeka në ndeshjen e parë me rezultat 0:1.
Klubi i madh kroat mbetet favorit i padiskutueshëm, me Dukagjinin që i duhet një ‘mrekulli’ për t’u kualifikuar tutje.
Përndryshe, klubi nga Klina edhe do të jetë pa trajnerin Armend Dallku, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë.
Drita e nis takimin ndaj Plzen në ora 20:00, Dukagjini si mysafir i Rijekas më fillim nga 20:15 kurse Ballkani përballet me Larnen në 20:30.