Ballkani shpallet Kampion i Kosovës për herë të tretë radhazi
Dominimi i Ballkanit në futbollin kosovar po vazhdon. Me fitore 1:0 ndaj kandidatit të drejtëpërdrejtë për titull, Llapit, suharekasit tashmë kanë fituar titullin e tretë radhazi të Superligës së Kosovës.
Skuadra e Ilir Dajës po vazhdon të shkruajë historinë në futbollin kosovar, duke u bërë skuadra e parë pas asaj të Besës, që fiton tre herë radhazi Superligën e Kosovës, në kohën e pasluftës.
Meqenëse edhe një barazim mjaftonte sot për titullin kampion, Ballkani nuk ishte ajo skuadra që sulmonte gjatë gjithë kohës si zakonisht, por një gol i shënuar në pjesën e dytë, e përfundoi punën.
Një asistim i bukur në drejtim të Bernard Karricës në minutën e 74-të, me këtë të fundit që me gjakftohtësi e çoi topin në rrjetë për të mposhtur Ilir Avdylin, për 1:0.
Ky ishte goli që i siguroi titullin kampion skuadrës nga Suhareka, një xhiro pa përfunduar kampionati.
Llapi do të duhet të kënaqet me vendin e dytë.
Në përballjet tjera, Gjilani fitoi ndaj Dritës në derbin e Anamoravës me rezultat 2:1 dhe është shumë afër të sigurojë vendin e shtatë, pa pasur nevojë të luajë në play-off për rënie nga liga.
Feronikeli fitoi 3:2 ndaj Dukagjinit, Prishtina e shkatërroi Fushë Kosovën me rezultat 5:0, ndërsa në ndeshjen Malisheva - Liria u shënuan 10 gola, ku këta të parët fituan me rezultat 7:3.
Tashmë është e sigurt, Ballkani do të jetë skuadra që luan në kualifikime për Ligë të Kampionëve, Llapi e Drita në kualifikime për Ligë të Konferencës, ndërsa një mundësi do ta ketë edhe Prishtina që është në finale të Kupës së Kosovës, ku përballet me Ballkanin në javën e ardhshme.