Ballkani reagon pas akuzave të Fushë Kosovës - NACIONALE

Ballkani reagon pas akuzave të Fushë Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

FC Ballkani ka reaguar pas akuzave të klubit së Fushë Kosovës, por nuk kanë komentuar incidentin e ndodhur pas ndeshjes.

Trajneri Burim Shala ka akuzuar presidentin Arsim Kabashi që e ka sulmuar pas lojës, ku sipas tij ky i fundit ka mbetur i pakënaqur sepse nuk ia “lëshuan lojën”.

Mirëpo, Ballkani nuk ka diskutuar për këtë incident, duke deklaruar se disa anëtarë të Fushë Kosovës kanë ofenduar dhe në të njëjtën mënyrë iu është kthyer.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

“Vazhdojmë të bëjmë detyrat tona në fushë, duke luftuar ndeshje pas ndeshje, e duke bërë atë që na takon, si klub që i dha shumë futbollit të Kosovës.

Për fat të keq, jemi duke u përballur me një fushatë të pakuptimtë kundër nesh, me tendencë dëmtimin e reputacionit tonë.

Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë.

Zhvilluam sot një ndeshje të qetë, të thjeshtë dhe me dominim të pritshëm e logjik, ndaj një skuadre tashmë të Ligës së Parë. Shënuam 3 gola dhe krijuam raste edhe për shumë gola tjerë.

Për fat të keq, një rezultat i tillë e mëse normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv.trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendojë në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund të ja ketë kthyer me fjalorin e njejtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera.

Kemi humbur edhe ne nga kundërshtari i sotëm në ndeshjen e kaluar, por fajin për atë paraqitje e kemi kërkuar brenda nesh, nuk kemi ofenduar oponentët.

Andaj le ta kuptojnë të gjithë njëherë e mirë, përfshirë edhe disa media që po ua zë “rrugën” suksesi ynë, qartësisht klubi i Ballkanit mbetet sinonim i mikëpritjes së mirë për të gjitha skuadrat që vijnë në Suharekë, ashtu siç ka qenë gjithmonë.

Ashtu ishte edhe sot, ndeshje fer e korrekte, përshëndetje mes palëve dhe gjithçka në formën e duhur.

Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo aspekt, andaj duhet pranuar ky fakt!”, shkruhet në komunikatë.

Ballkani përndryshe ka nevojë vetëm për një pikë që të shpallet kampion i Kosovës për të tretin vit radhazi.

Lajme të ngjashme