Ballkani nxjerr në shitje biletat për ndeshjen e kthimit në Conference League - NACIONALE

Ballkani nxjerr në shitje biletat për ndeshjen e kthimit në Conference League

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani të martën do të përballet kundër La Fioritas në stadiumin "Fadil Vokrri" në kuadër të rrethit të dytë kualifikues në Conference League. Në ndeshjen e parë Ballkani fitoi me rezultat të thellë 0:4.

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës, Ballkani, po vazhdon rrugëtimin e tij evropian, gjegjësisht në rrethët kualifikuese të Conference League, pasi në Ligën e Kampionëve u eliminua që në rrethin e parë kundër Zalgiris.

Fati në fatkeqësi nga ajo humbje ishte te shorti që pasoi për rrethin e dytë në Conference Lague, ku Ballkani u shortua me skuadrën modeste sanmarineze, La Fiorita.

Meqë mungojnë vetëm tre ditë deri te ndeshja e kthimit, atëherë klubi ka njoftuar se edhe biletat tashmë kanë dalë në shitje dhe se tifozët e tyre mund t'i blejnë ato.

Çmimet e biletave

Përmes një njoftimi publik në llogarinë zyrtare në Facebook, Ballkani, ndër të tjera, ka bërë të ditur edhe çmimet e biletave.

Atëherë, biletat në sektorin VIP do të kushtojnë 10 euro, në perëndim 5 euro, ndërsa në lindje 3 euro. Çuditërisht klubi nuk ka bërë të ditur se çfarë çmimesh ua ka caktuar biletave për në sektorët e jugut dhe të veriut, të cilat gjenden mbrapa dy portave.

Gjithsesi, tifozët e Ballkanit dhe të gjithë apasionuarit e futbollit, do të mund t'i blejnë këto bileta te sheshi i qytetit të Suherekës dhe te dyqani sportiv i klubit, i cili gjendet pranë stadiumit respektiv.

Ndryshe, Ballkani ka treguar edhe orarin se kur do të mund t'i blejnë këto bileta, e që është nga ora 10:00 deri në 22:00.

Sanmarinezët thonë se udhëtojnë në Kosovë për të dhënë një imazh të mirë

Humbja e thellë kundër Ballkanit në ndeshjen e parë ka qenë vrastare për skuadrën sanmarineze, La Fiorita. Humbja me rezultat 0:4 ka bërë që ndeshja e dytë të konsiderohet më shumë sikur formalitet.

Megjithatë, i një mendimi të tillë nuk është edhe njëri prej lojtarëve të La Fioritas. Venturini, në një prononcim për mediumin publik të San Marinos, deklaroi se në Kosovë nuk do të udhëtojnë sa për ta bërë një shëtitje, por për të dhënë një imazh të mirë.

Ballkani ka mundur të fitonte me epërsi shumë më të lartë sikur të ishin më pragmatikë para portës. Nga kundërshtari i saj, La Fiorita, në ndeshjen e parë nuk u pa asgjë, hiç dy goditje: një jashtë zone në pjesën e parë dhe një goditje me kokë në pjesën e dytë.

Në të dy rastet porta e Frashërit nuk u rrezikua në masë të madhe. Ballkani me të drejtë llogaritet se thuajse i ka dhënë epilog çështjes së kualifikimit në rrethin e tretë kualifikues të Conference League, pasi fitorja në ndeshjen e parë në udhëtim ka qenë shumë me peshë.

Lajme të ngjashme