Ballkani, Llapi, Flamurtari dhe Feronikeli kalojnë në çerekfinale të Kupës së Kosovës, eliminohet Trepça ‘89 - NACIONALE

Ballkani, Llapi, Flamurtari dhe Feronikeli kalojnë në çerekfinale të Kupës së Kosovës, eliminohet Trepça ‘89

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani, Llapi dhe Feronikeli kanë shënuar fitore në ndeshjet respektive të Kupës së Kosovës, duke u kualifikuar në çerekfinale të kompeticionit në fjalë. Ballkani fitoi 2:0 kundër A&N, Llapi mposhti 3:2 në udhëtim Lirisë, Vushtrria fitoi pas gjuajtjeve të penalltive kundër Flamurtarit, ndërsa Feronikeli befasoi Trepçën ’89 duke mposhtur 1:0.

Futbolli kosovar sot u rikthye në aksion me ndeshjet e 1/8 e finales të Kupës së Kosovës. Në vijë të përgjithshme ishin ekipet favorite ato që arritën të kalojnë tutje duke regjistruar fitore, në përjashtim të Trepçës ’89, që u mposht në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Ballkani, kampioni në fuqi i Kosovës, tek në pjesë të dytë arriti që ta zgjidhë fatin e ndeshjes, duke shënuar dy gola në minutat e fundit të takimit. Albion Rrahmani shënoi në minutën e 86', kurse në atë të 91' fitoren e vulosii Lumbardh Dellova. Pra, me fitoren 2:0 të besuarit e Ilir Dajës ia dolën që të kualifikohen në mesin e tetë skuadrave më të mira.

Llapi në anën tjetër fitoi 3:2 në “Përparim Thaçi” të Prizrenit, edhe pse thuajse në të gjitha fazat e ndeshjes e kishte lojën nën kontroll. Shumë shpejt Liria kaloi në epërsi me Fetahun, por Llapi ia doli që në pjesën e parë ta përmbysë rezultatin në 2:1.

Në këtë takim një gol të mrekullueshëm e shënoi edhe mesfushori meksikan Rivera. Ai nga gjysma e fushës paraboloi portierin vendës, duke mahnitur të gjithë të pranishmit në Prizren.

Në pjesën e dytë u bë gjithçka më e lehtë. Mysafirët gjetën edhe një gol pas fillimit të pjesës së dytë, ndërsa nikoqirët e ngushtuan rezultatin tek në minutën e 90+2’. Me epilogun 3:2 në favor të skuadrës së drejtuar nga Tahir Batatina mbaroi edhe ky takim.

Në ndeshjen tjetër Trepça ’89 u eliminua në formë të befasishme nga Feronikeli në “Rexhep Rexhepi”. Me mjaft pragmatizëm skuadra nga Drenasi arriti qëllimin që të shënonte një gol dhe më pas ta ruante mjaft mirë kapitalin prej një goli.

Ndeshja tjetër mes Flamurtarit dhe Vushtrrisë mbaroi me rezultat 1:1 në kohën e rregullt të saj. Pas ekzekutimit të penalltive Vushtrria fitoi me rezultat 3:4.

Lajme të ngjashme