Ballkani kampion i Kosovës për herë të dytë
Ballkani është shpallur kampion i Kosovës në Superligë për herë të dytë radhazi, me fitoren komode ndaj Ferizajt 2:0, fal edhe gabimit të Dritës që pësoi humbje në shtëpi ndaj Malishevës 1:0.
Një xhiro pa përfunduar sezoni, tashmë dihet kampioni për sezonin 2022/23, me Ballkanin që e arrin këtë vetëm për herë të dytë në histori të saj si klub.
Ballkani – Ferizaj
Titulli i dytë kampion erdhi falë fitores ndaj Ferizajt me rezultat 2:0, me skuadrën e Ilir Dajës që dominoi tërësisht takimin me shumë raste të krijuara.
Të dy golat e fitores u shënuan në pjesën e dytë, pasi në të parën nuk kishte gola të realizuar.
Fillimisht ishte kapiteni, Edvin Kuc që shënoi gol me kokë për rezultatin 1:0, në minutën e 65-të.
Ndërsa fitoren e vulosi Meriton Korenica, që shënoi për 2:0, 11 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 76-të.
Drita – Malisheva
Një shtytje të madhe Ballkanit ia dha edhe humbja e befasishme e Dritës si vendas ndaj Malishevës.
Malishevasit arritën të befasonin skuadrën nga Gjilani, duke e mposhtur me rezultat 1:0 dhe për t’ia shuar shpresën që mund të luftojnë për titull në xhiron e fundit.
Goli i Ronald Sobowalen i shënuar në minutën e 58-të, ishte goli që ia dha fund ëndrrës së Intelektualëve, që edhe këtë sezon e përfundojnë si nënkampion.
Në ndeshjet tjera, Prishtina ka shënuar fitore të thellë ndaj Drenicës me rezultat 4:1, ku golat për kryeqytetasit i shënuan Leotrim Kryeziu, Hasan Hyeni, Endrit Krasniqi dhe Albin Prapashtica, me golin e vetëm të Drenicës të shënuar nga Besfort Dervishaj.
Llapi barazoi në shtëpi ndaj Gjilani me rezultat 2:2, ku për vendasit shënuan Firmino dhe Selimi ndërsa për mysafirët Mevlan Zeka shënoi dygolësh.
Dukagjini në anën tjetër fitoi 3:1 ndaj Trepçës'89 me golat e Santos, Otto John dhe kapitenit Mërlaku, me golin e vetëm të shënuar për 89-shin nga Erdin Dushi.
