Ballkani kampion për herë të parë në histori
Klubi nga Suhareka, Ballkani është shpallur zyrtarisht kampion në Superligën e Kosovës ditën e mërkurë.
Me barazimin e sotëm në derbin e Gjilanit, edhe matematikisht “Xhebrailat” janë kampion për edicionin 2021/22.
Derbi i rivalëve të Gjilanit që u zhvillua në stadiumin e Qytetit, pavarësisht rasteve të shumta dhe lojës së bukur, asnjëra skuadër assesi nuk arriti t’i konkretizojë, kësisoj përfundojë me rezultat të barabartë 0:0.
Pas një super edicioni, Ballkani me plotë meritë fitoi titullin e parë në histori të klubit pas 32 xhirove të zhvilluara, ku gjithashtu për herë të parë do marrin pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
Të lumtur me këtë trofe, është ndarë skuadra kosovare që përmes një postimi në Facebook shkruan se kanë bërë historinë.
“Historia u shkrua. Ne ia dolëm. Jemi kampionët. FC Ballkani”, shkroi klubi.
Statistikat e Ballkanit në këtë edicion
Nën urdhrat e Ilir Dajës, skuadra nga Suhareka ishte e jashtëzakonshme duke shënuar më së shumti gola dhe pranuar më se pakti.
Pas 32 xhirove të zhvilluara, Ballkani regjistroi 21 fitore, duke barazuar shtatë herë dhe numëruar vetëm katër humbje.
Përpos kësaj, ata si skuadër realizuan 54 gola dhe pranuar vetëm 20, duke pasur një golaverazh +30.