Ballkani e nis sezonin në stilin e kampionit, triumfon ndaj Drenicës
FC Ballkani e ka nisur më së miri edicionin 2022/23 në Superligën e Kosovës duke shënuar fitore kundër Drenicës.
“Xhebrailat” nuk zhvilluan xhiron e parë siç ishte paraparë kundër Malishevës, shkaku që atë ditë luajtën përballjen kthyese ndaj Kl-Klaksvik.
Sidoqoftë, Ballkani ditën e diele ka shënuar fitore me rezultat minimal 1:0 ndaj Drenicës, sfidë ku e dominuan në të gjitha aspektet.
"Kuq e Zinjtë" e nisën më mirë ndeshjen duke rrezikuar disa herë portën e Frashërit, por që rezultuan të pasuksesshme.
Ishte mesfushori Edvin Kuc që realizoi një supergol nga distanca pas një rivendje këndore të shpejtë (44').
Tutje, asnjëra skuadër pavarësisht rasteve të shumta nuk i konkretizuan, prandaj epilogu përfundimtar doli të jetë 1:0.
Drenica disa herë rrezikoi përmes Leonit Abazit që kishte tre tentime në portë, njëkohësisht lojtari me më së shumti në ndeshje, mirëpo të gjitha të pasuksesshme.
Kështu, Ballkani merr fitoren e parë për këtë edicion duke u ngritur menjëherë në pozitën e pestë në tabelë me tre pikë, derisa Drenica qëndron tani në fund pa pikë.
Tabela e Superligës së Kosovës pas xhiros së dytë
Me përfundimin e kësaj sfide, është mbyllur edhe xhiro e dytë në Superligën e Kosovës.
Lideri momental është skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani me gjashtë pikë të mbledhura, njëkohësisht lider i vetëm në tabelë.
Prapa tyre renditen Drita, Llapi dhe Prishtina me nga katër pikë, derisa Ballkani e pesta me tre sosh.
Ballkani dhe Malisheva kanë një xhiro më pak të zhvilluar, por ende nuk ka ndonjë datë se kur do të zhvillohet.

Sfidat në xhiron e tretë të Superligës
Edhe në xhiron e tretë nuk do të zhvillohen dy ndeshje të tjera, me Prishtinën dhe Dritën që nuk do të luajnë në "Fadil Vokrri" më 25 gusht, pasi atë ditë Ballkani përballet me Shkupin.
Kurse, do të shtyhet edhe sfida mes Trepçës '89 dhe Ballkanit që ishte planifkuar ditën e mërkurë.
Ndeshjet që do të zhvillohen janë:
Drenica - Gjilani
Malisheva - Ferizaj
Dukagjini – Llapi.
Dy ndeshjet e para do të zhvillohen të mërkurën, derisa e treta të enjten dhe të gjitha nisin në ora 17:00.