Ballkani e mposht Trepçën ’89 falë një goli të vonshëm të Rrahmanit, Llapi e mund Dukagjinin - NACIONALE

Ballkani e mposht Trepçën ’89 falë një goli të vonshëm të Rrahmanit, Llapi e mund Dukagjinin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ballkani e ka mposhtur 1:0 Trepçën ’89 falë një goli të vonshëm të sulmuesit në formë Albion Rrahmani në Mitrovicë, ndërkohë që Llapi e ka mundur po ashtu 1:0 Dukagjinin në dy ndeshjet e fundit të javës së 21-të në Superligë.

Rrahmani shënoi me kokë në minutën e 88-të, pas një harkimi të përkryer nga Nazmi Gripshi, për fitoren e tretë radhazi në pranverë të Ballkanit në rrugën drejt mbrojtjes së titullit në Superligë, raporton Nacionale.

Ballkani ishte skuadër më e mirë dhe e kontrolloi lojën në Mitrovicë, megjithëse Trepça e pati mundësinë të kalonte në epërsi e para, por goditja e Armend Gashit qëlloi shtyllën në minutën e 14-të.

Vendasit nuk patën më raste të mira shënimi, ndërkohë që vizitorët ishin shumë më kërkues.

Vuajtjeve të klubit suharekas për ta gjetur golin e triumfit iu dha fund sulmuesi më në formë në Superligë Rrahmani, kur shënoi me kokë dy minuta para fundit, atë që ishte goli i gjashtë në tri ndeshjet e para të këtij viti dhe i 13-ti këtë sezon në ligë.

Kjo e bën 22-vjeçarin golashënuesin më të mirë në Superligë këtë sezon.

Ballkani rikthehet në krye të tabelës në Superligë me 47 pikë tani, tri më shumë se rivali për titull Drita.

Trepça ’89 mbetet në vendin e shtatë me 22 pikë, vetëm një pikë larg zonës së rënies nga liga.

Ndërkohë në Klinë, Llapi e mundi 1:0 Dukagjinin duke e arritur fitoren e tretë radhazi në pjesën e dytë të këtij sezoni. Këtë e ka arritur vetëm Ballkani nga 10 klubet e Superligës.

Festim Alidem shënoi në minutën e 12-të duke e paraboluar portierin pasi u shërbye nga Riveras.

Llapi tani është vetëm tri pikë larg zonës evropiane, ndërsa Dukagjini – që e pësoi disfatën e dytë radhazi pas fitores kontroverse ndaj Prishtinës – ka 25 pikë në vendin e gjashtë, katër pikë larg zonës së rënies nga liga.

Lajme të ngjashme