Ballkani e mposht rivalin kryesor Dritën, mbetet skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës, fitojnë edhe Malisheva e Gjilani
Sot janë zhvilluar tri xhirot e para të Superligës së Kosovës, aty ku kryendeshja e javës ishte mes Ballkanit e Dritës, që përfundoi me fitore minimale 1:0 të kampionit në fuqi, kështu për të vazhduar e vetme në krye të tabelës pa humbje. Në anën tjetër Malisheva fitoi 1:0 ndaj Prishtinës, e Gjilani e mposhti 2:1 Feronikelin 74.
Ndeshja në Suharekë ishte mes dy skuadrave që janë pretendente kryesore, e gjithashtu ishin të vetmet deri në javën e 11-të që nuk kishin pësuar humbje.
Ballkani – Drita
Intelektualët e nisin shumë mirë takimin, duke qenë më prezent në anën e kundërshtarit dhe herë pas here duke krijuar raste të rrezikshme.
Në 30 minutat e para ishin vetëm mysafirët që po rrezikonin, por Enea Koliçi reagoi në dy raste për të shpëtuar skuadrën e tij.
‘Xhebrailat’ në rastin e parë të tyre serioz shënuan. Ishte një goditje e lirë, një skenë që dukej mirë e përgatitur, kur Lumbardh Dellova goditi fuqishëm, për të shënuar një nga golat më të mirë të këtij sezoni për 1:0, në minuëtn e 36-të.
Vazhdimi i ndeshjes u karakterizua me pak raste shënimi dhe diçka që vlen të cekët janë minutat e fundit të takimit kur Ballkanit iu anulua një gol nga VAR dhe në aksionin vijues goditën shtyllën, por takimi përfundoi 1:0.
Ballkani mbetet skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës dhe ka grumbulluar 29 pikë në 11 ndeshje të zhvilluara, shtatë pikë më shumë se rivali i sotëm që gjendet në vendin e dytë.
Malisheva – Prishtina
Skuadra kryeqytetase edhe pse ndërroi trajnerin, nuk është kthyer te rezultatet pozitive, duke pësuar humbje në minutat e fundit të takimit.
Ilir Mustafa shënoi golin e vetëm të takimit nga penalltia në minutën e 85-të për t’ia dhuruar pikët e plota Malishevës, që me këtë fitore arrin në shifrën e 16 pikëve aq sa ka edhe Prishtina.
Gjilani – Feronikeli 74
Gjilani është kthyer te fitoret, duke mposhtur në shtëpi Feronikelin 74 me rezultat 2:1.
Ishte Redon Ismaili që shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë, për ta çuar skuadrën në pushim me epërsi minimale 1:0.
Në 45 minutat e dyta u shënuan dy gola të tjerë. Ishte Naskoi Milev që shënoi për gjilanasit që dyfishuan epërsinë në minutën e 63-të, ndërsa krejt çfarë Feronikeli 74 bëri në këtë takim ishte një gol ngushllyes për 2:1 nga Alban Shillova.