Ballkani e mposht Lirinë, fitojnë edhe Dukagjini e Prishtina - NACIONALE

Ballkani e mposht Lirinë, fitojnë edhe Dukagjini e Prishtina

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, e ka nisur në mënyrën më të mirë pjesën e dytë të kampionatit, duke shënuar fitore 3:0 ndaj Lirisë në Prizren. Në anën tjetër Dukagjini e ka mposhtur Malishevën 2:1, ndërsa Prishtina ka fituar 2:0 ndaj Feronikelit 74.

Pjesa e dytë e sezonit filloi dje, me dy ndeshjet e para, ku Llapi e mposhti Dritën e Gjilani barazoi me Fushë Kosovën, për të vazhduar sot me tri ndeshjet e tjera.

Liria - Ballkani

Liria bëri ndryshime të shumta në këtë pushim, pasi pati një formë jashtëzakonisht të dobët në pjesën e parë të kampionatit dhe sot u duk se këto ndryshime ende nuk janë përshtatur, me gabime të shumta në fushë.

Goli i parë i Ballkanit erdhi në minutën e 22-të pikërisht nga një reagimi jo të mirë në mbrojtje, kur Gentrit Halili e çoi topin në rrjetë për 1:0.

Gola më në pjesën e parë nuk pati, teksa 13 minuta pasi filloi pjesa e dytë Almir Kryeziu dyfishoi epërsinë e kampionit të dyfishtë të Kosovës.

Për rezultatin përfundimtar 3:0 shënoi Armend Thaqi në minutën e 85-të.

Ballkani vazhdon kryesimin në Superligë, tani me gjashtë pikë më shumë se Llapi dhe nëntë më shumë se Drita.

Dukagjini - Malisheva

Malisheva që ishte një nga skuadrat më të mira të pjesës së parë të kampionatit, nuk e ka nisur më së mirë këtë pjesë të dytë, pasi pësoi humbje nga Dukagjini.

Ani pse mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Drilon Hazrollajt në fund të pjesës së parë, Dukagjini e përmbysi rezultatin në pjesë të dytë.

Ishte fillimisht Iljasa Zuliu që barazoi në 1:1 në minutën e 58-të, ndërsa Victor Silva shënoi për golin e fitores dhe për rezultatin përfundimtar 2:1 në minutën e 65-të.

Prishtina - Feronikeli 74

Prishtina e Emanuel Egbos bëri paraqitje të mirë sot ndaj Feronikelit 74, duke fituar me rezultat komod 2:0.

Ishte Jalen Blesa që shënoi për 1:0 në minutën e 22-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

12 minuta pasi nisi pjesa e dytë u akordua penallti për kryeqytatasit, ku nga pika e bardhë i saktë u tregua Mergim Pefqeli, për 2:0.

Me këtë rezultat Prishtina fitoi ndeshjen, duke u afruar në pesë pikë me Dritën e vendit të tretë.

Lajme të ngjashme