Ballkani – Astana: Statistika dhe vlerat e skuadrave
Ballkani sot në Fadil Vokrri e pret Astanën, në kuadër të xhiros së tretë të grupeve të Ligës së Konferencës, ku ‘Xhebrailat’ synojnë fitoren e dytë radhazi, pas fitores së madhe të shënuar ndaj Dinamo Zagreb.
Kampioni i Kosovës po kalon në formë shumë të mirë, ku gjendet e dyta në Grupin C të garës së tretë evropiane për nga rëndësia me një fitore dhe një humbje, ndërsa kundërshtari i sotëm është e fundit pas dy humbjeve.
Ballkani e ka nisur mirë edhe në Superligën e Kosovës, ku renditet e para pas xhiros së 10-të, ndërsa Astana pritet të shpallet nënkampione në Kazakistan, pasi kampionati atje është në përfundim, pa gjasa për vendin e parë.
Statistika krahasuese
- Kjo do të jetë përballja e parë mes këtyre dy skuadrave;
- Astana në pesë ndeshjet e fundit ka fituar tre dhe ka humbur dy, në të gjitha garat;
- Që nga humbja 1:0 nga Viktoria Plzen, Ballkani nuk di për rezultate negative, duke fituar në pesë raste dhe barazuar një herë;
- Astana në nëntë ndeshjet e fundit gjithmonë ka pësuar gol;
- Astana ka fituar vetëm një ndeshje në 12 paraqitjet e fundit jashtë shtëpisë;
- Ballkani ka fituar pesë ndeshjet e fundit në shtëpi në garat evropiane, në katër prej tyre nuk ka pranuar gol.
Vlera e skuadrave
Mysafirët kanë një traditë në futbollin evropian, duke u paraqitur shumë shpesh, madje kanë luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve.
Ata kanë vlerë më të madhe të skuadrës pothuajse tre herë më shumë sesa Kampioni i Kosovës, sipas vlersimeve të Transfermarkt.
Ballkani vlen 5.60 milionë euro dhe lojtari më i vlerësuar është Lindon Emërllahu, i cili është i padisponueshëm për këtë ndeshje, për shkak të lëndimit.

Lumbardh Dellova, Nazmi Gripshi, Arb Manaj, Vesel Limaj, Edvin Kuc e Armend Thaqi, vijnë pas tij me vlerë mbi 300 mijë euro.
Në anën tjetër, Astana vlen 14.18 milionë euro. Qendërsulmuesi Dembo Darboe është më i vlefshmi me 1.80 milionë euro, e pas tij janë disa futbollistë që vlejnë nga 1 milionë euro.

Ndeshja e sotme zhvillohet në Fadil Vokrri me fillim nga 18:45.

