Babai i Lionel Messit takohet Laportën, bisedojnë për kthimin e argjentinasit në Barcelonë
Jorge Messi, babai i Lionel Messit, është takuar me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, për të biseduar për kthimin e mundshëm të argjentinasit në Camp Nou.
Messi u largua nga Barcelona me lot në sy në verën e vitit 2021, pas plotë 21 viteve të kaluara në klubin katalonas.
Ai iu bashkua Paris Saint-Germainit, pasi Barça nuk ishte në gjendje t’ia vazhdonte marrëveshjen si pasojë e telasheve financiare me të cilat përballej.
Sipas radios katalonase Tot Costa, Jorge u takua me Laportën këto ditë, ndërkohë që Messi i kaloi dy ditë në Barcelonë duke darkuar me miqtë e vet të moçëm, veteranët e Barcelonës Jordi Alba dhe Sergio Busquets.
Në këtë takim, sipas radios katalonase, Jorge dhe Laporta biseduam për kthimin e mundshëm të Messit në Barcelonë, pasi në verë 35-vjeçari do të jetë lojtari i lirë duke qenë se i përfundon marrëveshja me PSG-në, si dhe për komentet kontroverse të Matias Messi për klubin dy javë më parë.
Deri më sot, Barcelona dhe Laporta në veçanti nuk ia kanë mbyllur derën kthimit të Messit në klub.

Megjithëse familja Messi i ka shprehur dyshimet e veta, qoftë përmes deklaratave të Matias apo vetë fjalëve të Jorges javë më parë, kthimit i Messit në Barçë ka qenë gjithmonë i mundur, sipas mediave spanjolle.
Para takimit me Laportën, Jorge kishte thënë: "Unë nuk mendoj se Leo do të luajë përsëri për Barçën. Kushtet nuk janë plotësuar. Ne nuk kemi folur me Laportën dhe nuk ka asnjë ofertë deri më tani."
Por takimi i kësaj jave mes shefit të Barçës dhe Jorges mund të jetë urë lidhëse për ndryshimin e gjërave mes palëve.
Messi vendosi t’i kalojë në Barcelonë dy ditët e pushimit që trajneri i PSG-së Christophe Galtier ai dha atij dhe bashkëlojtarëve të tij të dielën.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë ishte pothuajse i pavërejtur të dielën pasdite në Parkun e Princave, deri në çastin kur skuadra pati më së shumti nevojë për të në kohën shtesë të ndeshjes.
Messi ka qenë gjithmonë njëri i ngjarjeve të mëdha dhe e dëshmoi këtë edhe me golin që e shënoi nga goditja e lirë në minutën e 95-të, për t’ia siguruar PSG-së një fitore drithëruese 4:3 kundër Lille.
Ai i ka shënuar 11 gola dhe i ka dhuruar 10 asiste në 19 ndeshje në Ligue 1 deri tani këtë sezon.

