Vëllai i Leo Messit pendohet dhe i kërkon falje Barcelonës
Vëllai i Lionel Messit, Matias, ka kërkuar falje që e thumboi Barcelonën duke thënë se askush nuk e njihte këtë klub para se kapiteni argjentinas të luante për të, dhe që e hodhi poshtë mundësinë që ai të kthehej në Camp Nou.
Matias Messi i ishte përgjigjur pyetjeve të tifozëve për Messin dhe Barçën në llogarinë e birit të vet në Twitch, por komentet e tij janë fshirë tashmë.
“Barcelona kishte filluar të njihej falë Messit, sepse më herët, askush nuk e njihte, njerëzit e njihnin Real Madridin...nuk është mirë që ata ia shpaguan kështu atij”, kishte thënë Matias.
Të mërkurën, Matias Messi kërkoi falje në llogarinë e vet në Instagram, duke thënë se kishte bërë shaka.
“Dua të kërkoj falje për atë që e kam thënë në rrjetet sociale. Thjesht po bëja shaka me tim bir dhe miqtë. Si mund të mendoj ashtu për një klub të madh si Barcelona, i cili i ka dhënë shumë familjes sime dhe Leos”, shkroi Matias në Instagram.
Ai shtoi: “Dua t’ju kërkoj falje të gjithëve, veçanërisht të gjithë tifozëve të Barcelonës”.

Përfaqësuesit e Lionel Messit e kanë distancuar veten nga komentet e Matias Messit, duke thënë se “ato janë ekskluzivisht qëndrim personal dhe individual i Matias, të cilat nuk duhet të jenë apo të ngjasojnë me ato të Leos apo njerëzve të rrethit të tij të ngushtë”.
Messi, 35 vjeç, i kaloi 20 vite në Barcelonë dhe i ndihmoi klubit t’i fitojë 35 trofe gjatë asaj kohe.
Megjithëse kishin gjetur ujdi për ta vazhduar marrëveshjen, Barcelona ishte në krizë financiare dhe nuk qe në gjendje ta mbajë në klub golashënuesin më të mirë në historinë e vet.
Si pasojë, Messi iu bashkua Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë në verën e vitit 2021.