Atletja që e theu rekordin botëror në 100 metra me pengesa: Babai m’i dogji rrobat e ushtrimeve - NACIONALE

Atletja që e theu rekordin botëror në 100 metra me pengesa: Babai m’i dogji rrobat e ushtrimeve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tobi Amusan është bërë kampione e botës në 100 metra me pengesa dhe tani mban rekordin botëror në disiplinë, por ende e mban në mend kohën kur babai i vet ia kishte djegur rrobat e vrapimit.

Ajo e zuri vendin e katërt në Kampionatin Botëror të Atletikës më 2019 dhe në Lojërat Olimpike Tokio 2020, por këmbëngulësia e saj ka bërë që ajo më në fund ta shkruajë emrin përgjithmonë në librat e rekordeve të shtegut të atletikës.

Amusan, 25-vjeçare, i kaloi 100 metra me pengesa për 12.12 sekonda – duke e mposhtur rekordin e deritanishëm të Kendra Harrisonit për 0.08 sekonda – në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të Atletikës në Oregon, para se ta fitonte medaljen e artë në finale.

Megjithatë, prej fillimi të karrierës së saj dukej gjithmonë sikur ajo nuk do të korrte sukses në vrapim.

“Prindërit i kam mësimdhënës, ata janë të rreptë në disiplinë”, tha Amusan për BBC Sport.

“Kur rritesh në një familje të tillë, ata ndiejnë se duhesh të përqendrohesh në shkollë. Dhe të qenit vajzë, mendon se do të shkosh në një rrugë të humbur, do ta humbasësh përqendrimin dhe kështu”, nënvizoi ajo.

Ajo zbuloi se si nëna e saj kishte pasur besim në të dhe i kishte ndihmuar ta shmangte babanë për të shkuar në ushtrime.

“Por, për shkak se nëna ime e pa atë që unë nuk e shihja të vetja, ajo ndjeu se mund të më jepte një mundësi. Ajo më thoshte vazhdimisht të mos e zhgënjeja”.

“Nëna ime i thoshte babait tim se po shkoja në kishë derisa unë po shkoja vjedhurazi në ushtrime, apo i thosha atij se po shkoja në debatin e shkollës kur shkoja në gara jashtë shtetit. Këtu nisi gjithçka”, tregoi ajo.

“Babai im u tërbua kur e kuptoi se unë po vrapoja. Ai i dogji të gjitha rrobat e mia të ushtrimeve dhe i tha nënës sime se ajo ishte hera e fundit që do të më shihte në një stadium”.

Shumë shpjet, disa vite më vonë, lotët e gëzimit rrodhën lirshëm kur Amusan qëndroi në maje të podiumit të Hayward Field në një ditë historike për Nigerinë, ku himni kombëtar i Nigerisë u këndua në Kampionatin Botëror të Atletikës për herë të parë.

“Ende nuk po mund ta besoj, mbase shkalla e asaj që ka ndodhur do të më godasë më vonë”, tha ajo për medaljen e artë të fituar në 100 metra me pengesa.

“Sa herë jam në garë jap 100 për qind nga vetja dhe kurrë nuk mjafton. Gjithmonë është vetëm vendi i katërt”.

“Por tani, 100 përqindeshi im jo vetëm që është medalje e artë por edhe rekord botëror. Besimi në vete m’i lehtësoi gjërat”, nënvizoi ajo.

Lajme të ngjashme