Atletja iraniane zhduket një ditë pasi garoi pa shami
Një atlete iraniane, e cila i pushtoi ballinat e gazetave duke mos pranuar ta bartë hixhabin në një garë jashtë shtetit, druhet të jetë zhdukur.
Elnaz Rekabi, 33 vjeçare, i shpërfilli rregullat e Republikës Islamike duke e përfaqësuar vendin e vet në Kampionatin Aziatik të Alpinizmit në Seul të dielën.
Burime të afërta me Rekabin kanë thënë për BBC-në se nuk janë në gjendje të kontaktojnë me të që prej ditës së hënë.
Rekabi përfundoi në vendin e katërt në këtë kampionat, por qëndrimi i saj për të mos bartur shami gjatë garës u transmetua në gjithë botën.

Vendimi i saj vjen në një kohë kur protestat po vazhdojnë ta tronditin Iranin, pas vdekjes Mahsa Aminit në paraburgim nën rrethana të dyshimta.
Amini, 22 vjeçare, ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte vendosur siç duhet shaminë në kokë, sipas ligjit islamik.
Rekabi dhe atletet e tjera iraniane u larguan nga Garden Hotel në Seul të hënën në mëngjes.
Ato duhet të mbërrijnë në Iran të mërkurën.
Por sipas BBC Persia, e cila thirret mbi burime anonime, pasaporta dhe telefoni i Rekabit janë konfiskuar.

Teherani nuk ka komentuar rreth këtij lajmi. Demonstratat pas vdekjes së Aminit janë shndërruar në një lëvizje të madhe kundër qeverisë së vendit, që është njëra prej sfidave më të mëdha të udhëheqësve klerikë të Iranit që prej rrëzimit të shehut më 1979.
Të paktën 122 njerëz janë vrarë si pasojë e reagimit të shtetit ndaj protestave për Aminin, sipas Grupit për të Drejtat e Iranianëve me bazë në Norvegji.
Disa gra protestuese i kanë djegur shamitë e veta dhe i kanë prerë flokët, derisa turmat kanë brohoritur “zan, zendegi, azadi” (“grua, jetë, liri”).
