Atletico Madrid merr një pikë në fund ndaj Realit
Atletico Madrid e ka fituar një pikë në kohën shtesë ndaj Real Madridit.
Edhe pse “Los Blancos” ishin në epërsi me rezultat minimal 1:0, pësuan në minutat shtesë duke lëshuar dy pikë.
Real Madrid e nisi shumë më mirë, duke krijuar dy raste të shpejta me Brahim Diaz dhe Jude Bellingham por dështuan t’i shënonin.
Sidoqoftë, ishte vetë Diaz që përfitoi nga një “asistim” i Kokes për të shënuar nga afërsia (20’).
Atletico pas kësaj tentoi ta barazonte me Niguez dhe Savic, mirëpo Andriy Lunin bëri pritje të mahnitshme për t’ia mohuar golin.
Mysafirët realizuan në fillimin e pjesës së dytë me Stefan Savic, mirëpo që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Real Madrid kishte rastin për ta mbyllur çështjen e fituesit, mirëpo si Diaz ashtu edhe Bellingham dështuan prapë nga afërsia.
Kur askush s’e priste në skenë doli Marcos Llorente që pas harkimit të Memphis Depay realizoi me kokë duke shokuar ish klubin (90+3’).
Real Madrid megjithatë mbetet lider i vetëm në tabelë me 58 pikë, dy më shumë se Girona që renditet e dyta derisa Atletico zë pozitën e katërt me 48 sosh.