Atletico Madrid me mund fiton ndaj Real Betisit
Atletico Madrid ka shënuar një fitore mjaftë të vështirë në udhëtim te Real Betis, në kuadër të xhiros së 11-të në La Liga.
"Los Rijoblancos" zhvilluan lojë më të mirë se vendasit duke fituar në fund me rezultat 1:2.
Fillimisht, Real Betis rrezikoi përmes Luiz Henrique dhe Andreas Guardado që kishin nga një rast të mirë shënimi, por nuk i finalizuan.
Ndërkohë, Atletico Madrid provoi përmes disa kundërzbritjeve që gjithashtu nuk i finalizuan.
Në pjesën e dytë, Luiz Henrique i kaloi vendasit në epërsi me një gol të shpejtë, sidoqoftë pas rishikimit të VAR-it goli iu anulua.
Sidoqoftë, mysafirët kaluan në epërsi pas një goli shumë të bukur nga rivendja këndore me Hermoson që e hutoi portierin vendas (54').
Francezi vazhdoi me formën e lartë duke shënuar edhe golin e dytë për Atleticon pas një aksioni të shpejtë, ku Matheus Cunha e asistoi për mrekulli (71').
E tëra që Real Betis arriti të bëjë në këtë pjesë të dytë, ishte goli i nderit i realizuar nga mesfushori Nabil Fekir (84'), i cili ishte i saktë nga gjuajtja e lirë.
Kështu, Atletico Madrid tani qëndron në pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë të mbledhura, tetë më pak se lideri njëkohësisht rivali lokal, Real Madrid që nuk di ende për humbje këtë edicion.
Në anën tjetër, Real Betis vazhdon t'i qëndrojë pranë top katërshes, duke u renditur në pozitën e pestë me 20 sosh.
Në xhiron e radhës, Atletico Madrid do të jetë mysafir i Cadizit, derisa Real Betis do të udhëtojë për përballjen ndaj Real Sociedadit.