Athletic Bilbao e eliminon Barcelonën nga Kupa e Mbretit
Athletic Bilbao ka arritur ta eliminojë Barcelonën nga çerekfinalja e Kupës së Mbretit pas 120 minutave lojë.
Pavarësisht që mysafirët shiheshin si favorit, Bilbao zhvilloi një paraqitje mahnitëse për t’i dërguar katalunasit në shtëpi, duke fituar me rezultat 4:2.
Pas vetëm disa sekondave Goka Guruzeta u gjend në vendin e duhur për ta kaluar Bilbaon në epërsi (1’).
Pastaj Barcelona mori dominimin, me Robert Lewandowskin që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase për ta barazuar rezultatin (26’).
Gjashtë minuta më vonë talenti Lamine Yamal realizoi një eurogol solo për ta përmbysur rezultatin (32’).
Pjesa e dytë ishte shumë më e barabartë, me dy skuadrat që kishin raste të njëpasnjëshme. Nico Williams me një harkim fantastik e gjeti të lirë Oihan Sancet, që nuk dështoi të shënonte me kokë nga afërsia (49’).
Barcelona kishte një rast të artë t’i jepte fund takimit në kohën shtesë, mirëpo Yamal dështoi keq të realizonte në portën e zbrazur pasi e dribloi portierin.
Kësisoj, ndeshja shkoi në vazhdime me Bilbaon që realizoi edhe dy herë të tjera për ta siguruar vendin në gjysmëfinale.
Heroi ishte i inkuadruari Inaki Williams që pas një aksioni të shpejtë e kaloi Bilbaon në epërsi me një goditje të fuqishme (105+2’).
Ndërsa, fitoren e vulosi vëllau i tij Nico në minutat shtesë pas një tjetër aksioni të bukur, duke e lënë të shtangur portierin vendas (120+1’).
Situata tani për Barcelonën veçse vështirësohet pasi eliminohen nga ky kompeticion, si dhe humbën Superkupën e Spanjës, kështu duhet të luftojnë vetëm për La Liga ose Ligën e Kampionëve nëse s’duan ta mbyllin sezonin pa trofe.