Aston Villa nuk ka të ndalur, pas Manchester Cityt e mposht edhe Arsenalin - NACIONALE

Aston Villa nuk ka të ndalur, pas Manchester Cityt e mposht edhe Arsenalin

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Aston Villa ka vazhduar me paraqitje të jashtëzakonshme në këtë sezon. Tani në Villa Park ata kanë mposhtur Arsenalin me rezultat 1:0, pak ditë pasi me rezultat të njëjtë e mposhtën edhe kampionin në fuqi, Manchester Cityn. Kjo seri e sukseshme ka bërë që skuadra e drejtuar nga Unai Emery të jetë në pozitën e tretë me vetëm dy pikë prapa liderit, Liverpool.

Për më shumë, Aston Villa, tani ka shkuar në 15 ndeshje radhazi të fituara në stadiumin e tyre Villa Park, që për kundërshtarët është shndërruar në një ferr të vërtetë.

Sa i përket ndeshjes së sotme, Arsenali, kishte më shumë nga ndeshja, si në rastet e krijuara, ashtu edhe në posedim të topit, por i mungoi konkretizimi i rasteve.

Në anën tjetër, Aston Villa, në ato rastet e pakta që kishte, realizoi. Ishte një kundërzbritje e rrezikshme nga ata, ku Leon Bailey depërtoi në zonën e rrezikshme, duke asistuar për John Mcginn, i cili me një rrokullisje, shënoi për 1:0, vetëm shtatë minuta pas fillimit të takimit.

Topçinjtë patën raste të arta në vazhdim. Por Saka, Odegaard e Jesus, dështuan të shënojnë, ku në dy raste intervenoi shumë mirë portieri vendas, Emiliano Martinez.

Pjesa e dytë për të dy skuadrat ishte paksa më e ngathët për nga rastet e krijuara. Si Aston Villa, ashtu edhe Arsenali dukeshin të vetëkënaqura, ani pse këta të fundit nuk duhej të ishin me rezultatin në fushë.

Si rrjedhojë, takimi përfundoi me rezultatin 1:0, me golin e McGinn të minutës së shtatë, me Aston Villën që merr pikët e plota në shtëpi, duke u afruar në vetëm dy pikë liderit Liverpool, ndërsa Arsenali me humbje mban vendin e dytë, duke dështuar ta rikthejë pozitën e parë në tabelë.

Lajme të ngjashme