Asllani për rastin e humbur kundër Barçës: U ndjeva i shkatërruar, nuk futa gjumë në sy për katër net - NACIONALE

Asllani për rastin e humbur kundër Barçës: U ndjeva i shkatërruar, nuk futa gjumë në sy për katër net

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mesfushori shqiptar i Interit, Kristjan Asllani, ka zbuluar se nuk e kishte zënë gjumi për katër net radhazi dhe e pranoi se ishte ndier i shkatërruar pasi e kishte humbur një mundësi të artë për të shënuar gol kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve në tetor.

Përfaqësuesi i Shqipërisë iu bashkua Interit në një marrëveshje huazimi me mundësi blerjeje nga Empoli verën e fundit, por nuk ka arritur të zërë vend titulluar nën urdhrat e Simone Inzaghit.

Ai e pranon se i duhet të përmirësohet ende për të pasur mundësi t’ua zërë vendin mesfushorëve kryesorë në klubin zikaltër.

“Më duhet të përmirësohem, po luaj në një mesfushë me shumë kampionë, nuk ka asgjë të çuditshme këtu”, tha Asllani për Gazetta dello Sport.

Asllani i ka bërë 12 paraqitje për Interin këtë sezon, përfshirë pesë në Ligën e Kampionëve.

Në tetor, ai ka mundur ta shihte emrin e vet në listën e golashënuesve në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës në Camp Nou, por e lëshoi një mundësi të artë të shënojë gol nga afërsia dhe nga një pozitë ideale.

“Kur unë nuk mendoj për këtë, dikush tjetër e bën për mua. Kur ec rrugës, gjithmonë është dikush që ma përmend dhe është bërë paksa bezdisëse”, tha 20-vjeçari për rastin e lëshuar kundër Barçës.

“Megjithatë, e pranoj se nuk fjeta për katër net pas kësaj, i kaloja netët duke e shikuar rastin e humbur”.

Ai shtoi: “U shkatërrova, por të gjithë më ngushëlluan. Nuk mund të kthehem mbrapa në kohë, por është koha të shikoj përpara.”

Asllani po ashtu i hodhi poshtë thashethemet se do të largohet nga Interi.

“Jo, janë lajme të rreme. Unë jam i lumtur këtu dhe dua të qëndroj këtu. E bëra këtë zgjedhje dhe do ta bëja përsëri.”

Lajme të ngjashme