AS: Roberto Moreno e refuzon Kosovën, e zgjedh klubin rus
Trajneri Roberto Moreno e ka refuzuar mundësinë e drejtimit të kombëtares së Kosovës, duke zgjedhur klubin rus Sochi, raporton gazeta spanjolle “AS”.
Që disa ditë, u raportua vazhdimisht se Moreno ishte kandidati kryesor për ta drejtuar Kombëtaren e Kosovës, me synimin e vetëm që është kualifikimi në Kupën e Botës.
FFK thuhet se i ofroi Morenos një pagë prej 600 mijë eurosh, me shpresën që ta drejtonte Kosovën së bashku me stafin e tij, por duket se tekniku spanjoll është bindur nga projekti i klubit rus Sochi.
AS raporton se Moreno ka nënshkruar me Sochin deri në vitin 2025, duke e refuzuar shansin e drejtimit të Kosovës, si dhe Adana Demirsporit të Turqisë.
“Roberto Moreno është afër të bëhet trajneri i Sochit. Trajneri spanjoll gjithashtu kishte oferta nga klubi turk Adana Demirspor dhe kombëtarja e Kosovës. Sidoqoftë, gjithçka jep indikacione që e ka zgjedhur projektin e Sochit”.
“Edhe pse qëndron në fundin e ligës ruse, drejtuesit e klubit synojnë të zhvillojnë një projekt ambicioz me Morenon në krye”, shkruhet ndër të tjera.
Kësisoj, Kosova do të vazhdojë të shikojë opsione tjera, kurse përzgjedhësi pritet të emërohet në fundin e muajit janar, apo fillimin e muajit shkurt.