As Leo Messi nuk do të shkëlqente në këtë Liverpool e lëre më Gakppo – thotë Michael Owen - NACIONALE

As Leo Messi nuk do të shkëlqente në këtë Liverpool e lëre më Gakppo – thotë Michael Owen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Michael Owen, e ka mbrojtur holandezin Cody Gakpo, duke thënë se edhe Lionel Messi do të haste në vështirësi për të lënë mbresa në skuadrën e tanishme të të kuqve.

Liverpooli e bleu Gakpon nga PSV-ja për rreth 50 milionë euro në janar, pas paraqitjeve të tij mahnitëse në kampionatin holandez Eredivisie dhe në Kupën e Botës në Katar.

Por 23-vjeçari ka dështuar të shënojë gol apo të asistojë në katër paraqitjet e para për Liverpoolin deri tani.

Megjithatë, skuadra e Jurgen Kloppit në tërësi është duke kaluar nëpër formë të dobët së fundmi dhe Owen beson se as lojtari më i mirë në botë nuk do ta kishte të lehtë të shkëlqente për të kuqtë në këtë kohë.

Ndiej keqardhje për të, në fakt, sepse ai ka ardhur në një ekip të cilit i mungon vazhdimësia e formës së mirë dhe të cilit i mungon vetëbesimi. Ai i kishte nja dy raste të mira kundër Chelseat dhe është e qartë se ai po përpiqet”, tha Owen për Gakpon.

Ai shtoi: “Unë jam i sigurt se ai do të jetë një blerje e mirë për të ardhmen, por tani për tani, do ta sfidoja edhe Messin të vijë këtu dhe të luajë mirë në këtë ekip që po vuan vërtet”.

Liverpooli barazoi pa gola me Chelsean në ndeshjen e fundjavës në Premierligë, duke i bërë vetëm tri gjuajtje në portë.

Lëndimet e shpeshta dhe të gjata kanë ndikuar në rezultatet e Liverpoolit këtë sezon po ashtu.

Si pasojë, skuadra udhëhequr nga trajneri gjerman Klopp është në vendin e nëntë në Premierligë, me 29 pikë nga 19 ndeshje, 10 pikë larg top katërshes dhe 21 pikë larg vendit të parë.

Lajme të ngjashme