AS: Jude Bellingham zgjedh Real Madridin
Mesfushori anglez Jude Bellingham tashmë ka vendosur se dëshiron kalimin te Real Madrid, me "Los Blancos" që e kanë bërë prioritet për në verë.
Sipas "AS", 19-vjeçari preferon kalimin në Madrid dhe nuk planifikon rikthimin në Angli për momentin.
Kur u largua nga Birmingham në moshën 17-vjeçare për në Gjermani ishte menduar se do të rikthehej kur të bëhej yll, gjë që e arriti te Borussia Dortmund me të cilët po shkëlqen në të gjitha garat.
Real Madrid ka marrë përgjigje pozitive nga kampi i Bellingham për një transferim në verë, ku plani është që lojtari të bëhet "Galaktikë" në vitin 2023, me Erling Haaland që do të jetë shënjestër kryesore një vit më vonë.
Duke marrë parasysh se lojtari ka pranuar, atëherë gjërat do të jenë më të lehta për gjigantin madrilen, pasi do t'i ikin garës me tre gjigantët anglez Manchester City, United dhe Liverpool, të cilët gjithashtu e kërkuan lojtarin.
Raporti shton se Madridi nuk do ta ketë të vështirë të diskutojë me Dortmundin për Bellingham, duke marrë parasysh se lidhjet e dy klubeve janë shumë të forta.
Një marrëveshje e tillë për anglezin mund të ndodh pasi të paguhen 120 milionë euro, me Dortmundin që nuk do ta refuzonte një ofertë të tillë.
Real Madrid e sheh Bellingham si pasuesi adekuat i Modricit, kontrata e të cilit skadon në verë por ekziston mundësia t'i vazhdohet edhe për një vit.
Kështu, Bellingham mund të bëhet një ndër anglezët e pakët që luajnë në "Santiago Bernabeu" me David Beckham dhe Steve McManaman që arritën të tregojnë kualitetin, por Michael Owen dhe Jonathan Woodgate nuk ia arritën.
Real Madrid ka para për ta realizuar transferimin
Puna për të rindërtuar mesfushën me lojtarë të rinj është duke vazhduar në Madrid, me Jude Bellingham që mund të jetë investimi më i fundit, ku financiarisht nuk do të jetë ndonjë problem.
Real Madrid nënshkroi në verë me Aurelien Tchouameni për 100 milionë euro (20 prej tyre në bonuse), por pastaj shiti Casemiron për 72 milionë euro (dhe 13 milionë euro bonuse) te Manchester United.
Kësisoj, për të marrë futbollistin e Dortmundit duhet të paguajnë mbi 100 milionë euro, por skuadra spanjolle ka "muskujt" për ta realizuar.