AS: Elita e futbollit e ka harruar Cristiano Ronaldon – askush nuk dëshiron ta afrojë - NACIONALE

AS: Elita e futbollit e ka harruar Cristiano Ronaldon – askush nuk dëshiron ta afrojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E përditshmja spanjolle e afërt me Real Madridin, “AS”, ka publikuar një artikull ku vë në pah harresën që ia ka bërë elita e futbollit Cristiano Ronaldo, duke mos dashur askush ta afrojë në gjirin e vet.

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, po kalon në fazën më të vështirë prej që është futbollist profesionist. Me kontratën e shkëputur para kohës me Manchester Unitedin dhe me një Botëror që la për të dëshiruar për të, duke mos arritur të luante titullar në fazën e eliminimit direkt me Kombëtaren e Portugalisë.

Tani 37-vjeçari është pa skuadër. Ai është rikthyer të stërvitet në ambientin e Real Madridit. Klubi spanjoll ia ka hapur të gjitha dyert ish-yllit të vet, duke ia krijuar të gjitha mundësitë që të stërvitet ashtu siç dëshiron ai.

Megjithatë, e përditshmja e madhe sportive “AS” vë ë theksin te fakti se askush e ka ndër mend që ta afrojë në klubin e vet nga ato që janë pjesë e kampionateve serioze evropiane.

“Për momentin asnjë skuadër në Ligën e Kampionëve nuk është e interesuar që ta afrojë. Destinacioni i tij i radhës duket se do të jetë Lindja e Mesme”, shkruan gazeta spanjolle.

Dy opsione në tavolinë për Ronaldon

Qëllimi kryesor i Cristiano Ronaldos ka qenë që të transferohej gjetiu, veçanërisht në një klub që do të mund t’ia mundësonte atij që të luante në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, një projeksion i tillë tani duket shumë i vështirë, ngase klubet e rëndësishme evropiane nuk janë të gatshme që t’i bëjnë ndonjë ofertë sulmuesit portugez.

Kështu që, 37-vjeçari për momentin ka vetëm dy alternativa sipas gazetës “AS”: “Në këtë moment, Cristiano ka dy opsione të vërteta në tavolinë: Katarin dhe Arabinë Saudite.”

Në artikullin e gazetës spanjolle, duke iu referuar burimeve të veta, thuhet se gjasat e Ronaldos që të luajë në nivelin maksimal të futbollit janë tejet të kufizuara.

“Edhe pse C.R. 7 ka si synim që të vazhdojë të luajë në nivelet maksimale, mundësitë e Ronaldos që t’ia dalë janë vërtet të kufizuara. Skuadrat evropiane nuk duken se kanë ndër mend të rrezikojnë ekuilibrin në zhveshtoret e tyre në gjysmë të sezonit”, shkruhet në artikullin e “AS”.

Për momentin dy skuadra është raportuar se kanë dërguar ofertë zyrtare në drejtim të pesë herë fituesit të Topit të Artë. Fjala është për Al Nassr dhe Al-Saad.

Klubi saudit i Al Nassr u raportua para disa ditësh që kishte ofruar 225 milionë euro për tre sezone. Ndërkaq Al-Saad deri më tani ka shprehur vetëm interesim. Kujtojmë se në skuadrën në fjalë luajnë edhe Andrë Ayew dhe Santi Cazorla.

Lajme të ngjashme