As Barçë e as MLS, Leo Messi në PSG edhe për dy vite të tjera - NACIONALE

As Barçë e as MLS, Leo Messi në PSG edhe për dy vite të tjera

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk duket se do të ketë rikthim të një romance mes Barcelonës dhe Lionel Messit. Edhe gazetari më i afërt me të, Guillem Balague, konfirmon se ka marrëveshje për ta rinovuar kontratën me PSG.

Shumë tifozë të Barcelonës tani e shumë javë janë duke ëndërruar për ta parë sërish me fanellën e tyre Lionel Messin, duke ditur që këtij të fundit i skadon kontrata në fund të sezonit.

Sidoqoftë, një dëshirë e tillë mund të konsiderohet e venitur, meqë PSG tashmë e ka siguruar një përgjigje pozitive nga përfaqësuesit e yllit argjentinas për ta rinovuar kontratën edhe për një tjetër sezon.

“Për katër muaj Luis Campos si drejtor ekzekutiv i PSG ka biseduar me Jorge Messi. Ka pasur edhe një takim jetik në Doha mes Jorge dhe presidentit të PSG, Nasser Al Khelaifi, ku janë bërë disa progrese. Ka një marrëveshje për Messin që të rinovojë kontratën e tij me PSG”, shkruan gazetari i afërt me yllin argjentinas, Guillem Balague në llogarinë e tij në "Twitter".

Messi thuhet se është i lumtur në klubin francez: “Ai është i lumtur për gjithçka dhe porsa të rikthehet nga pushimet marrëveshja do të përshpejtohet.”

Sipas Balague, i cili njëherësh është i afërt edhe me klubin e Barcelonës, thuhet se kjo e fundit nuk ka bërë asnjë përpjekje konkrete për ta afruar në gjirin e vet shtatë herë fituesin e Topit të Artë.

“Me PSG praktikisht gjithçka është arritur si marrëveshje. Barcelona nuk i është afruar as atij, e as babait të tij për t’u ofruar ndoçka. Kështu që nuk është se Messi nuk ka dëshirë të rikthehet te Barcelona, por nuk është shtruar fare si çështje”, tha gazetari spanjoll.

“Jeta e tij në Paris është e balancuar. Aty ndihet i lumtur. Të gjithë janë duke e shijuar dhe ai ka një mundësi reale që ta fitojë sërish edhe Ligën e Kampionëve. Si rrjedhojë, as MLS, as Barcelona. Messi është pranë qëndrimit për dy vite tjera (1+1) në Paris”, përfundoi Balague.

Në ditët në vijim 35-vjeçari do të rikthehet në kryeqendrën franceze për t’i nisur stërvitjet, në prag të vazhdimit të fazës së dytë të sezonit, ku synon që t’i fitojë të gjitha titujt e mundur.

Lajme të ngjashme