Arteta tregon se kur do të bisedojë me Arsenalin për rinovimin e kontratës
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka treguar se pse ende nuk kanë nisur bisedimet për rinovimin e kontratës dhe kur pritet që një gjë e tillë të ndodhë.
Arteta ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin e Londrës veriore dhe ai është i etur të qëndrojë përtej kësaj date. Megjithatë, nuk ka asnjë lajm që një marrëveshje me Topçinjtë është arritur, me sezonin e ri që tashmë ka nisur.

Arteta ka bërë një punë të shkëlqyer në Arsenal që kur mori drejtimin në dhjetor 2019, duke i udhëhequr Topçinjtë në vendin e dytë në Premierligë në dy sezonet e fundit. Tifozët e Arsenalit do të presin me padurim lajmet për të ardhmen e tij dhe ish-mesfushori thotë se bisedimet do të fillojnë pasi të përfundojë dritarja e transferimeve.
“Fokusi ka qenë te dritarja e transferimeve”, tha ai kur u pyet për rinovimin e kontratës me klubin. "Ne kishim shumë gjëra për të bërë dhe diskutuar. Ne jemi në kohë për çdo gjë dhe do të kujdesemi për këtë në momentin e duhur."
I pyetur nëse bisedimet do të hapen pasi të përfundojë afati kalimtar veror, Arteta u përgjigj: "Po".

Skuadra londineze mund të sjellë më shumë fytyra të reja në javën e fundit të afatit kalimtar përpara se të mbyllet më 30 gusht. Para kësaj, ata do të përballen me Aston Villa në ndeshjen e tyre të dytë të sezonit në Premierligë.