Arteta: Duhet të përforcohemi për ta fituar titullin në Premierligë
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e ka pranuar se skuadra e tij duhet të përforcohet patjetër me lojtarë të rinj në afatin kalimtar të kësaj vere, nëse dëshiron të bëhet kampione e Premierligës sezonin e ardhshëm.
Arsenali u mposht nga Manchester City në garë për titull në sezonin e fundit 2022/23.
Topçinjtë janë afër të nënshkruajnë me Kai Havertzin e Chelseat dhe janë në bisedime me West Hamin për mesfushorin Declan Rice.
“Sezoni i ardhshëm do të jetë më i forti në historinë e Premierligës”, tha Arteta.
“Pse? Veçse ishte vitin e kaluar. Në Angli jam që 22 vjet dhe kurrë nuk e kam parë një nivel kaq garues. Kaq shumë cilësi, i gjithë ky organizim, kaq shumë burime dhe trajnerë të mirë”.

Ai shtoi: “Ky është niveli dhe për ta fituar Premierligën duhet të jesh më i miri. Prandaj duhet të përforcohesh.”
Arsenali ishte lider i tabelës në Premierligë shumicën e kohës sezonin e kaluar, por nuk arriti ta mbajë hapin me Cityn pas lëndimit të lojtarëve kyçë siç është William Saliba.
Megjithëse skuadra e tij përfundoi e dyta dhe siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Arteta thotë se ende ndihet i lënduar.
“Edhe sot, ende më dhemb thellë përbrenda që nuk e fituam Premierligën pas 10 muajve lufte me Cityn”.
