Arteta ankohet për orarin ‘e vështirë’ të Premierligës
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka vënë në pikëpyetje programin e ligës, me topçinjtë që do të përballën me Aston Villën vetëm tre ditë pasi zhvilluan derbin kundër Manchester Cityt.
Të mërkurën, skuadra e Londrës veriore humbi 3:1 në shtëpi nga Manchester City. Vetëm 63 orë më vonë, të shtunën në drekë, ata do të përballen me Aston Villën në udhëtim, ndërsa luftojnë për të rifituar vendin e tyre në krye të tabelës së ligës.

Duke folur përpara ndeshjes, Arteta tha: "Ka disa rregulla me Ligën e Kampionëve. Kur luan të mërkurën mbrëma, pastaj nuk mund të luash [të shtunën në drekë]. Kështu që unë mendoj se kjo duhet të zbatohet për çdo garë, por unë mendoj se duke ndjekur të njëjtin parim, fiziologjikisht, është shumë e vështirë të kthehesh në atë periudhë aq të shkurtër për të marrë rezultatin më të mirë dhe për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit për lojtarët, por kaq.”
.jpg?format=jpg)
Siç aludon Arteta, ekzistojnë rregulla që thonë se skuadrat e Ligës së Kampionëve nuk duhet të luajnë në orën 12:30 (me orën e Mbretërisë së Bashkuar) të shtunën nëse kanë luajtur në Evropë të mërkurën mbrëma. Ndeshja e Arsenalit kundër Cityt u riplanifikua pasi data e parë për t’u zhvilluar ishte në tetor, por vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II bëri që të shtyhej, dhe Premierliga vendosi se kjo ishte një kohë dhe datë e përshtatshme për ta zhvendosur atë, madje edhe me Villa që do të vinte vetëm pas dy ditësh pushimi.

Arsenalit i duhet vetëm një barazim për të shkuar sërish në krye të Premierligës, edhe pse momentalisht lideri Man City udhëton në Nottingham Forest më vonë gjatë ditës.

